Hajrizi: Rahoveci ekip i fortë, por ne kemi eksperiencën
Sonte nga ora 19:00 në palestrën “Mizair Isma”në Rahovec zhvillohet një ndeshje e zjarrtë në basketboll ku ballafaqohen Peja e Rahoveci në kuadër të gjysmëfinales së Kupës së Kosovës.
“Shqiponjat” pejane fluturojnë drejtë Rahovecit me synim për ta rrëmbyer Kupën e Kosovës trofe ky që e synojnë ta bëjnë për vete gjithsesi, shkruan Zëri.info
Njëri nga basketbollistët më të mirë te skuadra pejane, Drilon Hajrizi në një bisedë për Zëri.info ka thënë se do të jetë një ndeshje e fortë, por Peja e di çfarë do të bëjë në këtë ndeshje.
“Në të gjitha ndeshjet jemi duke u futur maksimalisht të përgatitur duke e parë që jemi ekipi pretendent për Kupë. Presioni është mbi ne kështu që jemi munduar që të përgatitemi si në fushë po ashtu edhe jashtë fushës”, ka thënë Hajrizi për Zëri.info i cili e pranon se do të jetë një ndeshje e fortë.
“Pritet të jetë një ndeshje shumë e fortë pasi ndeshën dy ekipet më kualitative për momentin. Do të mundohemi që me përparësitë që i kemi dhe eksperiencën që e kemi t’i shfrytëzojmë dhe të dalim fitimtar prej kësaj loje shumë të rëndësishme për dy palët”, ka përfunduar Drilon Hajrizi. /Zëri.info