Nis mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, e pranishme edhe PDK
Ka nisur mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës ku pritet të diskutohet lidhur me propozimin për Komisionet Parlamentare.
Kjo mbledhje u thirr nga Kryeparlamentarja Vjosa Osmani, pas dështimit të votimit për formimin e këtyre komisioneve në seancën e parë të rregullt të mbajtur gjatë ditës.
Paraprakisht Kryesia e Kuvendit kishte propozuar që të formoheshin 14 Komisione Parlamentare, propozim ky që nuk i morri 2/3 e votave të nevojshme nga kuvendi, në mungesë kuorumi.
Mbledhjes së tretë të Kryesisë së re të Kuvendit i është bashkuar edhe PDK-ja.
Partia më e madhe opozitare i kishte bojkotuar dy mbledhjet e para pas një veprimi të kryeparlamentares Osmani, e cila largoi fotografinë e Presidentit Hashim Thaçi nga zyra e saj, duke e zëvendësuar me atë të Presidentit historik, Ibrahim Rugova.