Derisa Serbia pretendon se është në rrugë kah BE, ajo vazhdon të armatoset nga Rusia

Ministri i Mbrojtjes i Rusisë Sergei Shoigu vjen në Beograd më 17 shkurt, dhe me të arrin edhe kontingjenti i parë i gjashtë sistemeve për luftë kundërajrore “Pancir 1”, shkruan gazeta serbe “Novosti”.

Marrëveshja për një bateri të “Pancirëve” është lidhur vitin e kaluar, ndërsa mediet ruse kanë shkruar se afati për segmentin e parë të dërgesës është pjesa e dytë e shkurtit. Kjo dërgesë mund të jetë edhe shkak i mirë për vizitën e parë të gjeneralit Shoigu në ndonjë vend prejse është emëruar ministër i mbrojtjes i Federatës Ruse.

Shoigu në Serbi do të shpallet doktor nderi i Universitetit të Mbrojtjes për shkak të meritave për furnizim me armatim të këtij shteti.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, duke paralajmëruar vizitën e Shoigut ka thënë se ai është një prej “miqve të vërtetë dhe të pacenuar të Serbisë, i cili e kupton mirë pozitën e saj dhe se në Beograd do të sjellë “diçka të mirë”, por se do ta lë ministrin rus të flas për këtë”.

Ministri i mbrojtjes i Serbisë Aleksandar Vullin ka thënë se po vjen njeriu i cili “Serbinë e kupton shumë mirë, e do sinqerisht, i cili ka plotësuar çdo kërkesë të saj, i cili na ka ndihmuar në raste të panumërta dhe i cili është gjithmonë përkrahë Serbisë”.

Përveç “Pancirëve”, Serbia pret të pranojë edhe 30 tanke T-72. Gjatë vitit 2019 Serbia ka pranuar nga Rusia edhe autoblinda BRDM 2 MS, si dhe helikopterë luftarakë MI-35 për të cilët pretendohet në Serbi se janë “arritja e fundit e aero-teknologjisë ruse”.

Menjëherë pas vizitës së Shoigut, më 24 mars vjen në Beograd edhe shefi i diplomacisë ruse Sergei Lavrov.