Kusari-Opozitës: Ruajeni energjinë sepse opozitarizëm do të bëni për dy mandate

Edhe pse ka 2 orë që ka filluar seanca plenare, Kuvendi i Kosovës ende nuk i ka vënë në shqyrtim propozim vendimet për formimin e Komisioneve parlamentare, raporton Zëri.info.

Kjo pasi që opozita nuk po pajtohet me mënyrën e përcaktimit të rendit të ditës nga Kryesia e Kuvendit, mbledhjen e së cilës partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike e Kosovës e kishte bojkotuar.

Deputetët e partive opozitare në këtë seancë po shprehen zëshëm kundër qasjes që pozita dhe Kryetarja e Kuvendit sipas tyre po e tregon ndaj opozitës.

Mirëpo, deputetja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari e këshilloi opozitën që të mos e marrin me vrull të bërit opozitarizëm sepse sipas saj kanë rrugë të gjatë në këtë drejtim.

“Si maratonistë që jam starti nuk duhet të jetë shumë i shpejtë, ju sugjeroj që të shkoni më ngadalë dhe ta ruani energjinë sepse opozitarizëm nuk do të bëni vetëm një mandat, por dy”, ka thënë Kusari/Zëri