Pas shoqërimit në polici, flet për aksidentin gazetarja e sportit Ilda Bejleri

Gazetarja sportive, Ilda Bejleri ka reaguar për herë të parë pas aksidentit të ndodhur në bulevardin “Gjergj Fishta”, në afërsi të Ures së Drejtorise së Policisë Tiranë, ku një grua 63 vjeçare, sipas bluve të kryeqytetit, ishte përplasur nga një mjet.

Në një postim në Instastory, ku tregon se ndodhet në shtëpinë e saj duke parë televizor, Ilda, pasi fillimisht mohoi ngjarjen dhe shkroi se mediat shpifin, pranon se është shoqëruar në Polici për sqarimin e ngjarjes.

Ilda Beljeri shkruan se makina e saj ishte e ndaluar në momentin që zonja sipas saj është rrëzuar nga nxitimi për të kaluar rrugën. Madje gazetarja shton se nuk e ka ndierë për detyrim të qëndronte gjatë në vendngjarje sepse nuk kishte shkaktuar asgjë.

“O ju mer-diat shqiptare. Për fatin tim të mirë kamerat janë hapur në polici, dhe është vërtetuar që makina ime ka qenë e ndaluar në momentin që zonja është rrëzuar në nxitim e sipër për të kaluar rrugën edhe pse semafori jeshil ishte i hapur për makinat. Kush ka ndonjë dyshim të shkojë të shohë videon në polici. Unë pyeta për zonjën në momentin e parë por më pas duke qenë se makina ime në momentin e rrëzimit nuk ishte në ecje e sipër nuk ndjeva që kisha bërë diçka për t’u ndjerë fajtore. Të gjitha makinat e tjera u larguan por unë qëndrova pak, por nuk ndjeva asnjë detyrim që të qëndroja më shumë se nuk mbaj përgjegjësi për njerëzit që rrëzohen në rrugë. Zonja për fat të mirë është shëndoshë e mirë, flini të qetë o njerëz”- shkruan gazetarja.