Qeveria, pa model dhe pa afat për shërbimin ushtarak të detyrueshëm

Ndonëse synojnë ta bëjnë të detyrueshëm shërbimin ushtarak, qeveria “Kurti” ende nuk ka as model e as afat se kur do ta bëjë realitet një gjë të tillë. Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se ky proces fillimisht do të kërkojë ndryshimin e bazës ligjore, mbi të cilën do të parashihen edhe detajet. Ajo zotohet se çdo ndryshim do të bëhet pa krijuar dilema në raport me partnerët strategjikë të Kosovës, shrkuan gazeta "Zëri".

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po synon që shërbimin ushtarak ta bëjë të detyrueshëm. Në planprogamin qeverisës, të harmonizuar mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, theksohet se do t’i nisin përgatitjet për shërbimin e obligueshëm ushtarak në përputhje me praktikat dhe me standardet më të mira të vendeve të NATO-s. Mirëpo procedurat se si planifikon ta bëjë një gjë të tillë qeveria “Kurti” ende nuk i ka bërë të ditura.

Nga Ministria e Mbrojtjes kanë theksuar për gazetën “Zëri” se për organizimin e këtij shërbimi duhet fillimisht të bëhet plotësim-ndryshimi i bazës ligjore mbi të cilën pastaj do të krijohen edhe detajet. Se kur synojnë ta jetësojnë këtë plan nga ekzekutivi aktual theksojnë se ende është herët të dihet, për shkak të procesit të transformimit të Forcës së Sigurisë të Kosovës në Ushtri. Përderisa njohës të çështjeve të sigurisë janë skeptikë se shërbimi i obligueshëm ushtarak mund të fillojë para katër vjetëve të ardhshëm. Me një prioritet të tillë Albin Kurti kishte garuar edhe në zgjedhjet e 6 tetorit, ku jepte disa afate për parapërgatitjet e këtij organizimi. “Do ta iniciojmë organizimin e shërbimit të obligueshëm ushtarak dhe civil për djemtë dhe me zgjedhje për vajzat. Ky program do të paraprihet nga një plan dyvjeçar parapërgatitjesh dhe diskutimi shoqëror”, thuhej në një nga prioritetet e qeverisë “Kurti”. Megjithatë vlerësohet se në linjë me partnerët strategjikë Kosova duhet të theksojë se me këtë program dëshiron të krijojë përgatitje defensive të Ushtrisë së Kosovës dhe joofensive.

LVV - LDK-ja s’kanë afat se kur do të nisë shërbimi i detyrueshëm ushtarak

Zëvendëskryeministri i Kosovës nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti, në një përgjigje për gazetën “Zëri” ka thënë se kryerja e shërbimit ushtarak nga të rinjtë do të jetë shenjë e forcimit të identitetit shtetëror të Kosovës. Ndonëse ende nuk është bërë i ditur modeli për kryerjen e këtij shërbimi, Hoti theksoi se do të përkujdesen që ai të mos bjerë ndesh me arsimin ose punësimin e të rinjve. Për shkak të procesit të transformimit të FSK-së në Ushtri Hoti theksoi se nuk mund të jepen afate se kur do të fillojë kryerja e këtij shërbimi. “Ka modele të ndryshme si ai i Zvicrës ose i vendeve të tjera, që u ofrojnë të rinjve të kryejnë shërbimin ushtarak pa rënë ndesh me agjendën e tyre të arsimimit ose të punësimit. Ka modele mjaft të mira nëpër Evropë, të cilat mund t’i zbatojmë. Por nuk ka afat se kur do të fillojë implementimi i këtij procesi, sepse jemi në fazën e transformimit të FSK-së drejt Ushtrisë”, ka thënë Hoti.

Ndërsa deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, ka pohuar për “Zërin” se do t’i fillojnë përgatitjet për këtë shërbim dhe se më të synohet të bëhet përgatitje për vetëmbrojtje. “Është e qartë se duhet një fazë përgatitore dhe posa të kryhen të gjitha përgatitjet kjo do të fillojë së zbatuari. Çdo shtet e ka me rëndësi ta ketë një ushtri të fortë, ashtu synojmë edhe ne. Por me këtë veprim ne nuk po përgatitemi për luftë, por duhet të jemi të përgatitur për vetëmbrojtje dhe për ruajte të paqes afatgjate. Kësisoj. hap pas hapi do të fillojnë përgatitjet”, ka thënë Kollçaku.

MB: Duhet ndryshim ligjor për bërjen e shërbimit ushtarak të obliguar

një përgjigje për gazetën “Zëri” Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se plani i qeverisë aktuale për ta bërë të obligueshëm shërbimin ushtarak është në fazën fillestare. Kësisoj, nga kjo Ministri kanë theksuar se fillimisht do të duhet të bëhet plotësim-ndryshimi i bazës ligjore. “Çështja e shërbimit ushtarak të obliguar tremujor është objektivi i Qeverisë, i harmonizuar në mes të LDK-së dhe të LVV-së, i deklaruar nga kryeministri Albin Kurti. Për këtë çështje, fillimisht do të sigurohet ndryshimi dhe plotësimi i bazës ligjore, pas shumë analizave, konsultimeve, me ekspertizë vendore dhe në bashkëpunim me partnerët strategjikë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Ministria po ashtu thekson se tash për tash nuk mund të japin informacione mbi shërbimin ushtarak të obliguar, sepse në përcaktimet ligjore që do të bëhen do të parashihen edhe detajet. “Në këto përcaktime ligjore do të parashihen detajet. Tash për tash gjithçka është në fazën fillestare. Çdo hap që do të hidhet do të bëhet në mënyrë transparente. Kjo do të bëhet pa krijuar dilema në raport me fqinjët, me partnerët strategjikë dhe me NATO-n”, thuhet tutje në përgjigjen e Ministrisë.

Duhen 4 vjet për bërjen e shërbimit ushtarak të detyrueshëm

Njohësi i çështjeve të sigurisë Ramadan Qehaja në një prononcim për “Zërin” ka përmendur disa nga sfidat që do ta përcjellin qeverinë aktuale deri në bërjen e shërbimit ushtarak të detyrueshëm. Sipas tij, detyrë parësore tash për tash është ngritja e gatishmërisë vepruese të FSK-së dhe se shërbimi i obligueshëm ushtarak nuk mund të zbatohet para 4 vjetëve. “Shërbimi i detyrueshëm ushtarak do një punë shumë të madhe dhe para 4 vjetëve të ardhshëm ne nuk mund t'ia fillojmë kësaj çështjeje kur dihet se duhet të bëhen edhe ligjet përkatëse të nevojshme lidhur me këtë. Përveç kësaj, duhet të bëhen përgatitje në çështjet dhe formimi i organeve të posaçme, që do të merren me këtë çështje. Duhet mbledhur njerëz të fushës, sepse me përbërjen aktuale që ka Ministria e Mbrojtjes nuk mendoj se do të kryhej siç duhet kjo punë”, ka deklaruar Qehaja.

Ndër të tjera Qehaja ka theksuar se Kosova duhet ta shpjegojë para organizatave botërore të sigurisë se me ndryshimin e Ligjit për Shërbimin Ushtarak synon forcimin e vetëmbrojtjes dhe jo atë të sulmit. “Duhen edhe shpjegimet për NATO-n se çka dëshiron Kosova me këtë shërbim ushtarak të detyrueshëm. Duhet të bëjmë diskutime paraprake me kreun e NATO-s që të sqarojmë se ne nuk duam që shërbimi i detyrueshëm ushtarak të jetë për qëllime ofensive, por vetëm se për qëllime defensive ose të vetëmbrojtjes”, ka thënë Qehaja./ZËRI