Për 2 vjet Qeveria premton t’i bëjë qytetarët me sigurime shëndetësore

Nga qeveria “Kurti” është thënë se për dy vjet do të zbatohen sigurimet shëndetësore në vend. Për implementimin e tyre Kosova ka marrë mbështetje edhe nga Ministria e Shëndetësisë në Gjermani, shkruan gazeta "Zëri".

Ndonëse ka qenë premtim i çdo ministri të deritashëm të shëndetësisë në vend, qytetarët edhe 12 vjet pas shpalljes së pavarësisë vazhdojnë të mos i kenë sigurimet shëndetësore. Realizimi i sigurimeve kishte qenë premtim i katër ministrave të kaluar të Shëndetësisë, i ish-ministrit Alush Gashi, Ferid Aganit, Imet Rrahmanit e i Uran Ismaili, por në mandatin e asnjërit nuk u zbatuan ato.

Premtimi i fundit për sigurimet shëndetësore vjen nga qeveria “Kurti”, e cila parasheh që më së fundi deri në vitin 2022 t’i funksionalizojë ato.

Tashmë për implementimin e sigurimeve Kosova ka marrë përkrahje edhe nga Ministria e Shëndetësisë në Gjermani. Zyra për informim e ish-ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka thënë për “Zërin” se Kosova ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Gjermaninë.

Kujtojmë se rreth 10 milionë euro kishte ndarë qeveria e Luksemburgut për ta vënë në funksion sistemin informativ shëndetësor në Kosovë, megjithatë sipas një raporti të Auditorit, 417 mijë euro të këtij projekti kanë shkuar diku tjetër. Zyra e Auditorit para dy vjetëve gjatë auditimit kishte konstatuar mangësi në kontrollin financiar dhe në menaxhimin e kontratave nga Ministria e Shëndetësisë gjatë realizimit të tyre.

Kollçaku: Fillimisht duhet të zbatohet sistemi informativ i shëndetësisë

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, e cila është edhe njohëse e fushës së shëndetësisë, ka thënë për “Zërin” se brenda dy vjetëve do të fillojë implementimi i Ligjit për Sigurimet Shëndetësore. Ajo ka theksuar se fillimisht duhet të zbatohet projekti i sistemit informativ të shëndetësisë. “Ne një kohë të gjatë kemi insistuar që fillimisht duhet të fillojë zbatimi i projektit të sistemit informativ shëndetësor. Ne kemi thënë se brenda dy vjetëve do të fillojmë implementimin e Ligjit për Sigurim Shëndetësor. Fillimisht ai duhet të ndryshohet dhe duhet t’i paraprijë fillimi i zbatimit të sistemit informativ shëndetësor, sepse neve na duhen të dhëna. Do të thotë, pa të dhëna nuk ka mundësi edhe të jetësohet ai”, ka potencuar ajo.

Sa i përket zbatimit të SISH-it Kollçaku ka thënë se ka shumë dyshime për punët që janë bërë dhe se do të rishikohen ato. “Projekti SISH-it ka pasur shumë dyshime dhe ato i ka evidentuar edhe Auditori pasi për të janë dhënë mjete të shumta materiale, jo vetëm nga shteti ynë, por edhe nga donatorët e nuk është zbatuar. Kështu që mbetet të rishikohet gjithë ajo çfarë ka ndodhur dhe të fillohet për së mbari”, ka deklaruar ajo.

Gjermania ofron përkrahje për realizimin e sigurimeve shëndetësore

Gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, ia kishte konfirmuar ish-ministrit të Shëndetësisë Uran Ismailit gatishmërinë për ndihmë në krijimin e sigurimeve shëndetësore. Zëdhënësi për informim të ish-ministrit Ismaili kanë thënë për “Zërin” se bashkëpunimi në mes të Fondit të Sigurimit Shëndetësor të Kosovës dhe Fondit të Sigurimit Gjerman është rezultat konkret i një memorandumi të përbashkët të mirëkuptimit, që u nënshkrua në korrik të vitit të kaluar. Sipas tyre, për realizimin e sigurimeve duhet shumë përgatitje, resurse e kapacitete profesionale. “Sigurimet janë proces, i cili nënkupton shumë përgatitje, infrastrukturë ligjore adekuate (ndryshim të Ligjit aktual të Sigurimeve Shëndetësore në disa pika), resurse e kapacitete profesionale për Fondin, ndërveprim midis disa institucioneve në Kosovë dhe ministri Ismaili nuk e ka ndërlidhur fillimin e sigurimeve shëndetësore me data e vite, po me plotësimin e këtyre parakushteve për të cilat Fondi po punon me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë”, kanë thënë ata.

Ata kanë deklaruar se projekti i mbështetjes për sigurimet shëndetësore do të shkojë në dy faza, ku faza e parë do të nisë në fillim të këtij viti.

Hyseni: Do të jemi avokatë të pacientëve, sigurimet prioritet

Edhe deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ekrem Hyseni, i cili është njëherësh edhe mjek, ka thënë për gazetën se sigurimet shëndetësore do të jenë prioritet për ta. “Sigurimet Shëndetësore janë problem, por për ne janë prioritet. Sigurimet Shëndetësore dhe sistemi i informimit shëndetësor shkojnë të dyja bashkë dhe do të jenë prioritet i Qeverisë”, ka theksuar ai.

Hyseni është shprehur se do të punojnë drejt realizimit të sigurimeve nga të cilat rrjedhimisht do të ketë edhe ndryshime dhe rritje të besueshmërisë së qytetarëve. “Ne do të jemi avokatë të pacientëve në drejtim të këtyre shërbimeve, ku do të mundohemi në maksimum të japim kontributin tonë, të bëjmë punën tonë që t’i përfundojmë këto procese dhe të jeni të sigurt që këto procese do të japin efekt e ndryshim edhe në punën e punëtorëve shëndetësorë dhe në rritjen e besueshmërisë”, ka shtuar ai.

Rrahmani: Po të shtyheshin proceset përpara sot do t’i kishim sigurimet

Ish-ministri i Shëndetësisë, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ihmet Rrahmani, ka thënë për “Zërin” se gjatë mandatit të tij kishte realizuar shumë hapa të domosdoshëm në implementimin e Ligjit për Sigurime Shëndetësore. Megjithatë sipas tij, me marrjen e mandatit nga ish-ministri Ismaili sikur të ishin vazhduar punët Kosova do t’i kishte sigurimet. “Mos harroni që në periudhën 2015 - 2017 deri në dorëzim të mandatit kemi nxjerrë pothuajse të gjitha aktet nënligjore, duke përfshirë edhe ndryshimet e domosdoshme në ligjin aktual. Proces që ka marrë kohë, sepse është dashur të mos bëhen gabime në hapa dhe të vendoset drejt. Në periudhën që pasoi sikur të shtyheshin proceset përpara sot do t’i kishim sigurimet shëndetësore, jo ndoshta në nivelin e ideales, por në zhvillim e sipër si proces normal”, ka deklaruar ai.

Rrahmani ka thënë se gjithë ajo çfarë është punuar në këtë drejtim është punësimi i disa militantëve në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore dhe ndryshimet në menaxhment. “Sikur të avanconin proceset në këta dy vjet e gjysmë e detyrueshme do të ishte sjellja e ligjit në Kuvend për ndryshim-plotësim. As kjo nuk ka ndodhur, gjë që tregon se sigurimet shëndetësore nuk janë trajtuar fare. Tash kur do të bëhen ato, varet nga degradimi eventual i procesit dhe nga vullneti i qeverisë së re”, ka shtuar ai./ZËRI