Të aksidentuarit në Rahovec i viziton kryetari Smajl Latifi, tregon gjendjen e tyre

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka dalur me një deklaratë lidhur me gjendjen shëndetësore të dy personave të cilët sot pësuan lëndime të rënda si pasojë e një aksident trafiku.

Ai ka bërë të ditur se ka vizituar Faton Gashin, njërin prej të lënduarve rëndë nga ky aksident, duke theksuar se tashmë ai ka gjendje më të mirë shëndetësore.

”Djaloshi Faton Gashi nga fshati Bratotin i Rahovecit, pas aksidentit të rëndë që pësoi në mëngjesin e sotëm, tanimë është në gjendje shëndetësore stabile.

Sonte e vizitova Fatonin, i cili është i shtrirë në QKUK dhe po trajtohet me një kujdes të veçantë nga mjekët”.

I pari i Rahovecit nga Facebook-u po ashtu ka thënë se është në dijeni që edhe Asmon Gashi, i aksidentuari tjetër në këtë rast, është në gjendje të mirë dhe po trajtohet në Spitalin e Gjakovës.

”Jam në dijeni se i aksidentuari tjetër Asmon Gashi nga po i njëjti fshat, e që punonin bashkë me Fatonin, është në gjendje të mirë shëndetësore dhe po trajtohet në Spitalin Rajonal të Gjakovës.

Ju uroj shërim të plotë, Fatonit dhe Asmonit!”.

Faton Gashi dhe Asmon Gashi, sot në cilësinë e punëtorëve të një kompanie, u lënduan rëndë si pasojë e një aksident trafiku mes një kamioni që bënë mbledhjen e mbeturinave dhe të një veture.