Iu ndalohet hyrja në këtë stadium maqedonas, reagojnë 'Ballistët'

Grupi i tifozëve "Ballistët" nga Tetova nuk do të mund të udhëtojnë drejt Sturmicës, pasi skuadra Akademija Pandev iu ka ndaluar hyrjen në stadium.

Kështu kanë bërë të ditur tifo-grupi shqiptar në llogarinë e tyre në rrjetet sociale.

Shkëndija, do të jetë rival i Akademisë në kuadër të xhiros së 19-të në Superligën maqedone.

Më poshtë njoftimi i "Ballistëve":

BALLISTËT NUK LEJOHEN TË UDHËTOJNË NË STRUMICË!

Entuziazmi i madh që na ka kapluar të gjithë neve, për t’a mbajtur titullin e kampionit në Tetovë, po na e ‘zbeh’ vendimi i klubit të futbollit ‘Akademija Pandev’ të cilët nuk na pranojnë si tifozë mysafir në stadiumin e Strumicës.

Ky vendim qesharak, nuk do të ndalojë ekipin tonë që të rikthehet fuqishem në gjysem-sezonin e ligës futbollistike të Maqedonisë Veriore 2019-2020.

Tifogrupi ynë, bën hapur thirrje deri tek përgjegjësit e klubit të Shkëndijës, që tifozët mysafir të cilët do të dëshirojnë të udhëtojnë në Stadiumin e qytetit të Tetovës, t’ju jepet e drejta e tyre si tifoz mysafir që të jenë prezent në stadium, kështu që kualiteti i futbollit në vend të ngritet sa më lart dhe të arrihen hapat e duhura bashkë me klubin tonë KF Shkëndija.

KAMPIONI PO RIKTHEHET, BASHKË ME TË EDHE BALLISTËT.