Ministri Veliu priti në takim shefen e zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova
Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, z. Agim Veliu, ka pritur në takim njoftues Shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian, Përfaqësuesen e Posaçme të BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova.
Siç thuhet në komunikatë, në këtë takim, ministri Veliu e njoftoi Apostolovan me prioritet e tij si ministër dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, përfshirë riorganizimin e ministrisë, buxhetin, forcimin e luftës kundër cdo krimi të organizuar dhe korrupsionit, terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm.
“Gjithashtu, ministri Veliu theksoi se MPBAP është e përkushtuar për të avancuar më tej bashkëpunimin me Zyrën e BE-së në Kosovë dhe vazhdimin e angazhimeve për menaxhimin e procesit të liberalizmit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Ministri Veliu u zotua se do të punojë maksimalisht që këtë institucion ta bëjë të besueshëm, profesional dhe kredibil për qytetarët e Kosovës, regjionin dhe miqtë tanë ndërkombëtarë.
Ndërsa Nataliya Apostolova, uroi ministrin Veliu për detyrën e re dhe tha se Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar në fuqizimin e bashkëpunimit me institucionet e Kosovës për sa i përket zbatimit të MSA-së dhe Agjendës së Reformës Evropiane.
Po ashtu, Apostolova e ka njoftuar ministrin Veliu për një sërë projektesh që Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike do të përfitojë prej tyre”, thuhet në njoftim.