U akuzua për vjedhje, Myftiu Tërnava kërkon 500 mijë € dëmshpërblim

Gjykata Themelore e Prishtinës ka caktuar për nesër (e enjte) seancën, ku palë paditëse është kryeimami i Kosovës, Naim Tërnava, ndërsa i padituri Emin Behrami, i cili më 11 prill 2019 kishte ushtruar kallëzim penal ndaj shefit të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) me pretendimet se në vitin 2002 i ka vjedhur 300 mijë marka gjermane, siç kishte thënë ai, në pikë të ditës pronë të BIK-ut.

Behrami më herët kishte punuar si mësimdhënës në Medresenë “Alaudin”, ndërsa në atë kohë Naim Tërnava ishte drejtor i kësaj të fundit.

Në padinë e Tërnavës, të cilën e posedon “Front Online”, thuhet se si drejtor i Medresesë nuk kishte përgjegjësi ta ruaj objektin natën dhe njëkohësisht nuk kishte as autorizime që të tërhiqte para nga banka dhe për këtë gjë ishte i autorizuar ekonomisti në kuadër të BIK-ut, Rrustem Spahiu.

Tërnava, nëpërmjet përfaqësuesit ligjor, Nasuf Hasani, ka kërkuar nga Behrami 500 mijë euro dëmshpërblim, siç ka thënë ai, për kompensim të dëmit material si pasojë e shpifjes dhe fyerjes.

Përndryshe, në postimin e tij në rrjetin social “Facebook” Behrami kishte shkruar se myftiu ka vjedhur katër mandate, siç ka thënë ai, nga një Kushtetutë e falsifikuar dhe po u shërben vetëm interesave të tij karrieriste.

“Edhe më keq se kjo, Tërnava në prag të shpalljes së vetvetes si Mufti i BIK-ut në vitin 2002, i vodhi 300.000 DM (treqind mijë marka gjermane), për fatin e të cilave kurrë nuk u njoftuan muslimanët, ndërsa këtë veprim kriminal ai e ka pranuar publikisht.Ato humbën në pikë të ditës, ndërsa kurrë nuk u ndoq, sepse ishte kryetar i Kuvendit të BIK-ut dhe drejtor i Medresesë, vepër penale kjo të cilën ia paraqita organeve kompetente të shtetit, me propozim që pas hetimit të rastit, kryetarin Tërnava ta dënojnë sipas ligjit. Më gjërësisht lexoni Kallëzimin penal”, pati shkruar Behrami vitin e kaluar.