Ismet Begolli: Agim Ademi ngrihej në këmbë me disa letra, ne nuk e njohim Komitetin, pse Drita të përfaqësohet aty e ne jo!

Një ndër donatorët e fuqishëm të futbollit kosovar, Ismet Begolli, e ka përfaqësuar klubin e Prishtinës në mbledhjen e fundit të klubeve të Superligës me kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi dhe sekretarin e përgjithshëm Eroll Salihu, takim që u organizua ditën e martë, shkruan Zëri.info.

Disa klube elitare në këtë takim kanë vazhduar me kërkesa të njëjta, të përfaqësohen në Komitetin Ekzekutiv të FFK-së.

Klubet pretendojnë që në këtë mënyrë, do të kontrollonin investimet e tyre të mëdha.

“Mbledhja e djeshme nuk ka shkuar në rregull pasi që kryetari i FFK-së, Agim Ademi, vazhdon që mos t’i miratojë kërkesat e klubeve të pakënaqura. Ne duam që të përfaqësohemi në Komitet Ekzekutiv siç kemi deklaruar edhe më parë. Kryetari na tha se e kemi dërguar në UEFA propozimet për ndryshim. Ai (Agim Ademi) qohej në këmbë dhe thoshte se ju ka është letra që e kam dërguar në UEFA. Në bazë të përvojës sime në futboll, nuk e di se duhet të pyetet UEFA për punët e brendshme të një federate. Pse Drita të përfaqësohet në Komitet me Flamur Bunjakun i cili klubin e Dritës e ka përgjysmë me dikë tjetër (Valon Murselin) e klubet e tjera jo”, ka deklaruar për Zëri.info, Ismet Begolli.

Prishtina, Llapi, Drenica, Ferizaj dhe Trepça ’89 janë klubet e mëdha që duan ndryshime.

Tutje, Begolli që tash e shumë vite derdh para për futbollin e Kosovës deklaron se klubet nuk e njohin Komitetin Ekzekutiv të zgjedhur më Kuvendin e fundit më 27 janar.

Ai thotë se FC Prishtinën në këtë Komitet nuk mund ta përfaqësojë Ismajl Ajeti i zgjedhur në Lidhjen Rajonale të Prishtinës.

“Mund të them se ne nuk e njohim këtë Komitet Ekzekutiv. Nuk e njohim as anëtarin e regjionit të Prishtinës, Ismajl Ajetin. Ai (Ismajl Ajeti) si mos me qenë fare. Ai kurrë nuk e ka vizituar klubin tonë, më të madhin në Kosovë. Imagjino, vetëm Prishtina nuk ka fushë për stërvitje. Kanë shkuar dhe ndërtuar fusha anë e mbanë Kosovës, por jo edhe në Prishtinë”, vlerësoi Ismet Begolli duke thënë se fund se kërkesat e klubeve nuk e prekin aspak të parin e FFK-së, Agim Ademi.

“Ne nuk jemi për të ndërruar Agim Ademi, por për ndryshime në Komitetet Ekzekutiv. Ata po thonë se kjo situatë mund të ndikojnë në Përfaqësuese që për neve nuk ndikon aspak. Kjo që është bërë me Përfaqësuesen është krejt meritë e Fadil Vokrrit, vazhdimësi e tij. Përfaqësuesja është interes nacional dhe ne nuk duam që ta dëmtojmë”, pohoi Begolli duke folur edhe për hapat e radhës.

“Tashmë e kemi dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë një padi dhe presim vendimin e gjykatës pasi që sipas nesh, kishte shkele në Kuvendin e fundit të FFK-së në janar”, përfundoi Ismet Begolli. /Zëri.info