Silvana Arsoviq tani akuzohet për bashkëkryerje në vrasjen e Ivanoviqit

Në Gjykatën Speciale në Prishtinë është mbajtur seanca përgatitore për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, më 16 janar 2018, në veri të Mitrovicës, derisa të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm. Halimi: Sipas aktakuzës së ndryshuar, Silvana Arsoviq, sekretare e Oliver Ivanoviqit, akuzohet për “Bashkëveprim në vrasje”, shkruan sot Zëri

Është mbajtur në Gjykatën Speciale të Kosovës në Prishtinë seanca përgatitore në procesin gjyqësor për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviqit, më 16 janar 2018, në veri të Mitrovicës. Të gjithë të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës, derisa aktakuza është ndryshuar për të akuzuarën Silvana Arsoviqin, bashkëpunëtorja më e ngushtë e Oliver Ivanoviqit. Mahmut Halimi, avokat i Roshiqit, ka thënë se Silvana akuzohet për pjesëmarrje dhe për bashkëkryerje të vrasjes së liderit të SDP-së, Oliver Ivanoviq. “Duke u bazuar në aktakuzën e re në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, që i është dorëzuar mbrojtjes, ish-bashkëpunëtorja e Oliver Ivanoviqit, Silvana Arsoviq, akuzohet për bashkëveprim (bashkëkryerje) në vrasjen e Ivanoviqit. Ky është ndryshimi i vetëm në aktakuzë”, ka thënë Halimi.

Ndërkaq duke u bazuar në aktakuzën që Prokuroria Speciale e Kosovës e ka ngritur më 2 dhjetor 2019, Silvana Arsoviq akuzohej për veprën penale ndihmë në kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë” nga Neni 179 i LPK-së lidhur me Nenin 33, pikën 2 të LPK-së. Sipas aktakuzës së parë, Arsoviqi akuzohet për bashkëpunim të ngushtë me persona të dyshuar, të cilët kanë koordinuar vrasjen e Oliver Ivanoviqit, në atë mënyrë që ka krijuar kushte dhe ka larguar pengesat për kryerjen e krimit, ngase gjatë vrasjes së Ivanoviqit e akuzuara me vetëdije dhe me forcë i ka ndalur kamerat vëzhguese të sigurisë në zyrat e SDP-së, i ka shkyçur ato nga rrjeti, me çka ka mundësuar që personat e dyshuar të mos incizohen nga kamerat e sigurisë në kohën kur është kryer vrasja e Oliver Ivanoviqit. “Më pas, në orën 08:16 minuta, kur vrasja ishte kryer, kamerat e sigurisë në zyrat e SDP-së janë kyçur, derisa Arsoviqi është administratore në zyra dhe ka qenë personi i vetëm në objekt kur është kryer vrasja”, thuhet mes të tjerash në aktakuzën e ngritur më 2 dhjetor 1019.

Ndryshe, siç përcjell “TV Most”-i nga Mitrovica e Veriut, të gjithë të akuzuar kanë hedhur poshtë se kanë marrë pjesë në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Nedelko Spasojeviq, Marko Roshiq dhe Dragisha Markoviq kanë kundërshtuar aktakuzën, ndërsa Silvana Arsoviq ka deklaruar se absolutisht nuk ndihet fajtore për asnjë pikë të aktakuzës. Zhako Jovanoviq ka thënë se nuk është fajtor për dy pikat e para të aktakuzës, ndërsa ish-polici Rade Basara ka thënë se në kohën kur është vrarë Ivanoviqi ai ndodhej në Kroaci, në periudhën prej 7 deri më 27 janar 2018.

Dy të akuzuarit, Zharko Jovanoviq dhe Nedelko Spasojeviq, kanë pranuar fajësinë për posedim të armëve dhe kjo, siç ka thënë gjykatësi Valon Kurtishaj, do të merret si masë lehtësuese gjatë shqiptimit të dënimit. Gjykata ka marrë vendimin, sipas të cilit është pranuar një pjesë e fajit për posedim të armëve. “Meqenëse të akuzuarit kanë pranuar se kanë mbajtur armë, derisa pranimi i fajësisë është në pajtim me ligjin, kjo do të merret si lehtësim me rastin e shqiptimit të masës përfundimtare”, ka thënë Kurtishaj.

Avokati i Marko Roshiqit, Mahmut Halimi, ka kërkuar që i mbrojturi i tij do të lirohet dhe do të mbrohet në liri. “Nuk ekziston asnjë dyshim se i mbrojturi im ka kryer vepër penale, për këtë arsye kërkoj që të pezullohet masa e paraburgimi. Kjo duhet të bëhet, sepse po zbatohen standarde të dyfishta, dikush me të njëjtat kualifikime ndodhet në liri, ndërsa i mbrojturi im në paraburgim, a është kjo barazi ligjore?”, ka pyetur Halimi. Ai ka propozuar masën e arrestit shtëpiak për Roshiqin me kaucion prej 15 mijë eurosh, që do t’ia paguajë familja e tij.

Përfaqësuesja ligjore e të akuzuarës Silvana Arsoviq, Jovana Filipoviq, e ka kundërshtuar aktakuzën, duke vlerësuar se pohimet që klientja e saj i ka shkyçur kamerat e sigurisë janë të pabazuara, sepse SMS-ët që ajo i ka dorëzuar si dëshmi nuk kanë asnjë lidhje me rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit. “Dokumenti i tretë është fotografia në të cilën në sqarim është shkruar se në të ndodhet Silvana Arsoviq. Kjo nuk është vërtetë, sepse Silvana nuk ndodhet në të”, ka thënë Filipoviq.

Avokati tjetër i Arsoviqit ia ka paraqitur gjykatës një dokument të mjekut për gjendjen shëndetësore të rënduar të Silvana Arsoviqit, duke kërkuar që asaj t’i hiqet masa e arrestit shtëpiak.

Gjykatësi Valon Kurtishaj ka caktuar seancën tjetër gjyqësore më 16 mars 2020./Zëri.