Palaçoja nga Meksika vritet pasi u mundua ta mbronte një grua me fëmijë nga hajni

Një palaço i guximshëm nga Meksika, i cili i bënte të qeshnin fëmijët e sëmurë, u qëllua për vdekje pasi u mundua ta mbronte një grua me një foshnjë gjatë sulmit nga një plaçkitës në restorant.

Humberto Rojas Landa, i njohur me nofkën “Mjeku Cosquillas”, u vra në një restorant të ngarkuar në Puebla të Meksikës, shkruan “Daily Mail”.

Sipas dëshmitarëve, një person i armatosur hyri në një restorant për t’i plaçkitur mysafirët. Palaçoja hero u përpoq t’i mbronte një grua me një foshnjë nga sulmuesi duke e goditur atë me një ibrik të ujit, transmeton Gazeta Express.

Hajni më pas e qëlloi palaçon me armë zjarri në kokë dhe u largua nga vendi i ngjarjes pasi kishte arritur të vidhte vetëm një telefon celular, raportuan mediet lokale.

Personi i plagosur u dërgua në spital dhe vdiq pas 24 orëve. Nuk dihet nëse ai ishte duke punuar si palaço në kohën kur ndodhi sulmi.

Qindra banorë lokalë morën pjesë në funeralin e tij, ndërsa familja e të ndjerit ka kërkuar përkrahje financiare për shpenzimet e varrimit për shkak se nuk kanë mundësi që ato t’i mbulojnë vetë.