Haradinaj i reagon Kurtit për pagat: Mashtrimi që nuk sjell asgjë

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e ka quajtur vendimin e sotëm të qeverisë Kurti për pagat narrativë mashtruese që sic thotë ai Vetëvendosje e ka sjellë në ekzekutiv nga rruga.

Haradinaj ka shkruar në Facebook se vendimi për pagat është politik dhe i pakuptimtë, pasi që për të ende nuk ka vendosur Gjykata Kushtetuese.

“Ulja e pagave të Kabinetit të sotëm është veprim politik tërësisht i pakuptimtë kur dihet tanimë që brenda pak ditëve pritet aktgjykimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese rreth Ligjit që rregullon jo vetëm pagat e këtij kabineti, por për edhe atyre të ardhshmeve, dhe se pagat edhe për këtë muaj do u dalin të gjithëve ashtu siç ishin. Mashtrimi ordiner me këtë veprim të sotëm, bëhet për tituj portalesh që të fitojnë ca poena të shpejtë politik, në kurriz të parimit themelor kushtetues të vendit”, ka shkruar ai.

Haradinaj thotë se me vetëm një javë qeverisje, është vendosur një standard i rrezikshëm dhe jodemokratik i mosrespektimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Kështu, brenda vetëm një javë qeverisëse, u vendos një standard i ri i rrezikshëm dhe jodemokratik i mosrespektimit të Gjykatës Kushtetuese si autoritet përfundimtar i përcaktimit të përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën.

Qeveria normale do pezullonte të gjitha veprimet (përfshi edhe ato politike) rreth temës, dhe do priste me respekt deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese”, tha ish-kryeministri.