Turqia thotë se rebelët i kanë vrarë 51 ushtarë sirianë

Autoritetet turke thanë të martën se 51 ushtarë janë vrarë në pjesën veriperëndimore të Sirisë pasi rebelët e përkrahur nga Ankaraja u kundërpërgjigjën ndaj forcave qeveritare siriane, të cilat mbështeten nga Rusia.

Ministria e Mbrojtjes e Turqisë i citoi burimet nga terreni në lidhje me këtë informacion, duke shtuar se gjatë luftimeve janë shkatërruar dy tanke siriane dhe një depo e armatimit.

Disa orë më parë, një vëzhgues i luftës raportoi se forcat e qeverisë siriane e kanë marrë kontrollin në autostradën që i lidh Alepon dhe Damaskun, shkruan “Reuters”.

Një zyrtar turk tha se rebelët e kanë nisur një sulm me të gjitha forcat në një zonë që së fundi ra nën kontrollin e forcave qeveritare. Një komandant i rebelëve tha se ata janë duke e detyruar ushtrinë e Asadit që të tërhiqet.

Në anën tjetër, forcat qeveritare siriane paralajmëruan se do të kundërpërgjigjen ndaj sulmeve të ushtrisë turke, të cilat po përpiqen t’i pengojnë depërtimet e ushtrisë siriane në provincën e Idlib-it.