Rivaliteti Thaçi – Kurti rrezikon dialogun me Serbinë
I dërguari i posaçëm i SHBA-së në Kosovë Richard Grenell, presidenti i vendit Hashim Thaçi dhe shefi i Qeverisë Albin Kurti nuk gjenden në një vijë sa i përket pozicionit të Kosovës karshi Serbisë. Derisa Grenelli kërkon heqjen e taksës pa reciprocitet, Kurti në anën tjetër ka paralajmëruar zëvendësimin e taksës me reciprocitet të plotë ndaj Serbisë. Kurse presidenti Thaçi mbetet i bindur se ai do të vazhdojë t’i udhëheqë negociatat me Serbinë e jo Kurti, siç parashihet me Kushtetutën e vendit.
Ndonëse vitet e fundit dialogu me Serbinë është udhëhequr nga presidenti i vendit Hashim Thaçi, kryeministri i ri Albin Kurti ka paralajmëruar se timonin e këtij procesi do ta marrë vetë ai. Kurti në një deklaratë për medie theksoi se do të bashkëpunojë ngushtë me presidentin Hashim Thaçin për të përfaqësuar në mënyrë unike politikën e jashtme të vendit. “Është urgjente që ne të kemi një politikë të jashtme unike në arenën ndërkombëtare, që të mos vazhdohet sikur këto dy-tre vjetët e kaluar. Qeveria e re dhe unë si kryeministër i ri dua të koordinohemi edhe me presidentin aktual të vendit, në mënyrë që të mos kemi në politikën e jashtme një kakofoni, e cila me siguri do të bëhet e dëmshme. Mendoj që kjo është më e rëndësishmja për shtetin tonë dhe jo kush ku do të jetë pas disa muajsh”.
Kurti tashmë e ka konfirmuar se do ta heqë tarifën ndaj mallrave të Serbisë, por atë do ta zëvendësojë me reciprocitet të plotë politik, tregtar dhe ekonomik, shkruan gazeta Zëri.
Në anën tjetër, presidenti Hashim Thaçi vlerëson se procesi i dialogut midis Kosovës dhe Serbisë do të përmbyllet së shpejti me njohje reciproke falë punës së shkëlqyeshme të Shteteve të Bashkuara nën udhëheqjen e presidentit Donald Trumpit. Thaçi tha se epilogu i procesit të dialogut është skicuar, duke iu referuar letrave të presidentit Trumpit kohë më parë të drejtuara presidentit të Kosovës dhe atij të Serbisë. “Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka treguar vëmendje të madhe për forcimin e paqes dhe të stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Letrat e tij e kanë skicuar epilogun e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili duhet të përfundojë me njohje reciproke. Nën udhëheqjen e presidentit Trump dhe me punën e shkëlqyeshme të ambasadorit Grenell jam besimplotë se ky proces do të përmbyllet së shpejti me njohje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Jemi të bekuar me përkrahjen e përhershme të SHBA-së për popullin dhe për shtetin e Kosovës”, ka theksuar Thaçi në një shkrim në “Facebook”.