Andrew Yang tërhiqet nga gara për president të Shteteve të Bashkuara

Yang, 45-vjeçar, i cili i hyri garës për president të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara pavarësisht mungesës së përvojës në politikë, i befasoi shumë vëzhgues duke u kualifikuar për debate dhe duke mbetur në garë për një kohë më të gjatë sesa disa politikanë veteranë.

Kandidati me prejardhje nga Tajvani, i cili synonte të bëhej presidenti i parë amerikan me prejardhje aziatike, e kishte publikuar kandidaturën e tij në vitin 2017 si person pak i njohur, shkruan “Reuters”.

Ai tha para gazetarëve në New Hampshire se do ta përkrahë secilin kandidat që e fiton garën brenda Partisë Demokratike për ta sfiduar presidentin Trump në nëntor.

Yang e përshkruante vetën si ana e kundërt e presidentit Trump. “Unë jam djalosh aziatik, të cilit i pëlqen matematika”, kishte deklaruar ai më parë.