Komunës së Drenasit i teprojnë 1.25 milion euro

Opozita në Drenas ka vlerësuar se shuma e mjeteve prej 1.248.280 eurosh, e cila ka tepruar nga buxheti i vitit 2019 dhe e cila i kthehet nivelit qendror, ka ardhur si pasojë e keqmenaxhimit, pasi shumë projekte në sektorë të ndryshëm kanë mbetur pa u realizuar e buxheti nuk është shfrytëzuar. Lladrovci: Arritje të mëdha në të gjitha fushat, shkruan gazeta Zëri.

Komuna e Drenasit ka përmbyllur vitin 2019 me suficit prej 1.248.280 eurosh dhe ato do t’i kthehen nivelit qendror. Mjetet buxhetore nuk janë shfrytëzuar në tërësi dhe kjo ka ngjallur reagimin e subjekteve politike opozitare. Në mbledhjen e fundit të Kuvendit të Drenasit opozita ka vlerësuar se shuma e mjeteve prej 1.248.280 eurosh, që ka tepruar nga buxheti i vitit 2019 ka ardhur si rezultat e keqmenaxhimit, pasi shumë projekte në sektorë të ndryshëm kanë mbetur pa u realizuar.

Petrit Gashi, asamblist i Iniciativës Qytetare Drenas, ka thënë se Komunës së Drenasit i kanë tepruar mbi 1 milion euro, për shkak se buxheti nuk është menaxhuar mirë.

Gashi (IQD): Suficiti prej mbi 1 milion eurosh është rezultat i keqmenaxhimit me buxhetin

“Duke pasur parasysh së muaj më parë kam paralajmëruar që Drenasit do t’i mbesin shuma milionëshe pa u shfrytëzuar, u dëshmua se edhe pse shumë projekte kapitale nuk janë realizuar, si në infrastrukturë, arsim, shëndetësi, ambient, bujqësi, qeverisja në Drenas nga keqmenaxhimi ka suficit prej 1.248.280 eurosh. Pra, nga mungesa e njohurive që kjo shumë e mjeteve të shfrytëzohet për përmirësimin e rrugëve, të kanalizimeve dhe gjithë sektorëve më rëndësi jetike për qytetarët, një pjesë e këtij buxheti i kthehet nivelit qendrore. Kur pata paralajmëruar muaj më parë së viti 2019 është viti në të cilën më së shumti do të mbetet buxhet i pashfrytëzuar si rezultat i keqqeverisjes, eksponentë të pushtetit tentonin të më kryqëzonin, ndërsa tani raporti i paraqitur vërteton një gjë të tillë. Në seancën e Kuvendit kam kërkuar sqarime dhe natyrisht nuk kam marrë, sepse kur ka dështime të tilla mungojnë arsyetimet. Megjithatë i kishim paralajmëruar me kohë se projektet infrastrukturore po ngecin, zhvillimi i Drenasit po ngec dhe dështimi i kësaj qeverisjeje vetëm sa po e trash keqmenaxhimin. Gjithashtu të mos harrojmë se mbyllja e shkollave është bërë me arsyetimin për mungesë buxheti, çerdhet nuk janë ndërtuar me arsyetim mungesë buxheti, bujqësia nuk është ndihmuar me arsyetim mungesë buxheti, ujësjellësi nuk është instaluar me arsyetimin e mungesës së buxheti, ndërsa doli në fund se teprojnë mbi 1.2 milion euro”, ka thënë Gashi.

Gashi ka përkujtuar disa nga premtimet e Lladrovcit, të cilat nuk janë përmbushur. “Premtimi për ndërtimin e stadiumit nuk filloi kurrë, premtimi për Parkun e Biznesit II nuk u bë kurrë, premtimi për ujësjellësin nëpër fshatra që nuk u realizuar, nuk janë realizuar as premtimet për investitor të rinj, madje disa edhe janë larguar, nuk është realizuar premtimi për fushën sintetike në Komoran, nuk është realizuar premtimi për çerdhe të reja të fëmijëve as premtimi për shkolla moderne, por janë mbyllur edhe tri shkolla në Abri, Gjergjice dhe Godancë”, ka numëruar ai disa nga premtimet që nuk janë realizuar.

Gashi ka shtuar se Lladrovci ka larguar kamerat nga Kuvendi i Drenasit gjatë seancave, nuk është realizuar premtimi i liqenit të Verbovcit, rruga për Berishë, shujta nëpër shkolla, përmirësimi i cilësisë në arsim e në shëndetësi. “Këta dy sektorë janë degraduar skajshëm, nuk janë zvogëluar taksat komunale për bizneset, nuk është ndërtuar ngrohja qendrore për qytetin, nuk janë hapur vende të reja të punës siç premtonte Lladrovci, nuk janë ndihmuar bizneset, përkundrazi një biznesi i është vendosur taksa 550 mijë euro vetëm që të largohet nga Drenasi, mbi gjysmë milioni euro janë paguar për vendime gjyqësore”, ka vijuar Gashi.

Ai ka shtuar se Lladrovci njihet për frikësim të punëtorëve të administratës, të qytetarëve dhe të gjithë atyre që janë kundër, për padi nëpër gjykata si presion ndaj asamblistëve për ta mbyllur gojën, për konkurse të parregullta dhe për punësime të familjarëve të tij ose të vartësve të tij, për pidpidakun në vend të ndihmës ndaj sportit, për gjuhën banale që përdor brenda dhe jashtë institucionit, për degradimin e planit zhvillimor dhe urbanistik të Drenasit, për shembjen e shtëpive të qytetarëve në mënyrë të paligjshme, për mostransparencë dhe mosllogaridhënie para Kuvendit Komunal, për shkatërrimin e sektorit të arsimit, të shëndetësisë dhe të sektorëve më të rëndësishëm të Komunës në përgjithësi. “E ndërkaq premtimi i tij për 200 milionë euro investime as nuk zihet në gojë, me siguri që kryetari Lladrovci nuk e ka njohur këtë shifër”, ka ironizuar asamblist i IQD-së, Petrit Gashi.

Lladrovci: Arritje të mëdha në të gjitha fushat

Në anën tjetër, kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci ka vlerësuar se në vitin që lamë pas janë realizuar të gjitha projektet e planifikuara, se është rritur transparenca dhe llogaridhënia. “Komuna e Drenasit e ka përfunduar vitin 2019 me transparencë e me llogaridhënie para qytetarëve të saj. Pas një pune intensive, angazhime e projekte në të mirë të qytetarëve, viti është përmbyllur me të arritura të shumta. Sigurisht, meritë për këtë kanë edhe vetë qytetarët, të cilët Komuna i falënderon që kanë bashkëpunuar për të përmirësuar shërbimin ndaj komunitetit.

Të gjitha projektet e planifikuara dhe të miratuara nga Kuvendi Komunal janë realizuar në përpikëri sipas afateve kohore, madje Komuna e Drenasit ka fituar dhjetëra projekte infrastrukturore në të mirë të qytetarëve nga niveli qendror, si granti i performancës mbi 180 mijë euro nga MAPL-ja, granti 100 mijë euro për mjedis, si dhe së fundmi kryetari Lladrovci është vlerësuar mirënjohje për përfaqësim gjinor në nivel vendi. Po ashtu në fillim të vitit Drenasi është vlerësuar si Komuna më Transparente në Kosovë nga KDI-ja me përkrahje nga Ambasada Britanike, duke e radhitur kështu të parën në nivel vendi. Disa nga projektet infrastrukturore të realizuara gjatë vitit 2019 sipas planifikimit buxhetor janë: rrugët e asfaltuara mbi 33 kilometra, kanalizimi dhe kolektorët 80.7 kilometra, trotuare 8 kilometra, rrugë me zhavorr 11 kilometra, rrugë me kubëza betoni 1.6 kilometër, pastrimi i lumenjve 40 kilometra, ndërtimi i 4 urave automobilistike, 6 tombina, ndriçim publik 8 kilometra, ndërtimi i rrugës ‘Bregu i Qyqavicës’ 15 kilometra, rruga transite Kroni i Mbretit - Ferronikel, Shkolla Profesionale në Komoran, nënstacioni elektrik, donacioni nga Japonia në vlerë prej 70.000 eurosh për aparatin e mamografit”, ka numëruar disa nga projektet që janë realizuar në vitin 2019 në komunën e Drenasit, kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci.

Ai ka përmendur edhe madhështinë e sheshit që mban emrin “Fehmi Lladrovci”, që ia kanë shtuar shtatoret e heronjve Fehmi e Xhevë Lladrovci, Ilaz Kodra, Rasim Kiçina, Bedri Shala, Shaban, Hamëz dhe Adem Jashari, të realizuara me mbështetje të donatorëve, pa shpenzuar mjetet e buxhetit lokal e as atij qendror. “Po ashtu Komuna e Drenasit ka vazhduar t’i përkrahë fermerët dhe sektorin e bujqësisë përmes shpërndarjes se motokultivatorëve e pajisjeve të tjera, të përmirësojë shërbimet mjekësore duke investuar në pajisje, të mbështesë sportin përmes investimit në infrastrukturën sportive, të përmirësojë arsimin duke investuar në pasurimin e bibliotekave dhe ndarjen e 160 bursave për studentë e shumë projekte të tjera, të cilat pa dyshim kanë përmirësuar dhe kanë lehtësuar jetën e qytetarëve tanë. Komuna e Drenasit me qëllim të përmirësimit të transparencës çdo raport e publikon ne uebfaqen e Komunës dhe tabelën e shpalljeve në Komunë, po ashtu në fillim të vitit ka miratuar në Kuvendin Komunal Planin për Përmbushjen e Transparencës, si dhe në mbledhjen e Kuvendit Komunal është miratuar me disa ndryshime edhe Rregullorja Komunale për Transparencë. Përmes uebfaqes zyrtare janë publikuar të gjitha kontratat e lidhura me operatorët ekonomikë, njoftimet për dhënie të kontratës, nënshkrimi i tyre, kontrata e të gjitha procedurat që lidhen me prokurim. Gjithashtu janë publikuar të gjitha konkurset publike, janë mbajtur debate me publikun, duke e bërë qytetarin pjesëmarrës në vendimmarrje”, ka thënë mes tjerash kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci./Zëri