Kontradiktat për dialogun të Grenellit, të Thaçit dhe të Kurtit

I dërguari i posaçëm i SHBA-së në Kosovë Richard Grenell, presidenti i vendit Hashim Thaçi dhe shefi i Qeverisë Albin Kurti nuk gjenden në një vijë sa i përket pozicionit të Kosovës karshi Serbisë. Derisa Grenelli kërkon heqjen e taksës pa reciprocitet, Kurti në anën tjetër ka paralajmëruar zëvendësimin e taksës me reciprocitet të plotë ndaj Serbisë. Kurse presidenti Thaçi mbetet i bindur se ai do të vazhdojë t’i udhëheqë negociatat me Serbinë e jo Kurti, siç parashihet me Kushtetutën e vendit, shkruan sot gazeta Zëri.

Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, me të marrë detyrën si kryeministër i vendit ka paralajmëruar heqjen e taksës ndaj produkteve serbe, por zëvendësimin e kësaj mase me reciprocitet të plotë politik, tregtar dhe ekonomik ndaj Serbisë. Shefi i Qeverisë s’e ka përjashtuar as rolin e presidentit të vendit në dialogun me Serbinë, por ka thënë se vetë do ta marrë timonin e udhëheqjes së negociatave. “Është urgjente që ne të kemi një politikë të jashtme unike në arenën ndërkombëtare, që të mos vazhdohet sikur këto dy-tre vjetët e kaluar. Qeveria e re dhe unë si kryeministër i ri dua të koordinohemi edhe me presidentin aktual të vendit, në mënyrë që të mos kemi në politikën e jashtme një kakofoni, që me siguri do të bëhet e dëmshme.

Mendoj se kjo është më e rëndësishmja për shtetin tonë dhe jo kush ku do të jetë pas disa muajsh”, është shprehur Kurti në një intervistë për medie. Ndërkohë paralajmërimet e Kurtit për reciprocitet të plotë ndaj Serbisë janë kundërshtuar nga i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë - Serbi, ambasadori Richard Grenell. Zëdhënësi i tij, Dick Custin, në një deklaratë për medie theksoi se Grenelli e inkurajon Kosovën ta heqë taksën 100% ndaj prodhimeve të importuara nga Serbia, por pa reciprocitet.

“Kosova duhet ta heqë taksën ndaj mallrave të Serbisë, pa reciprocitet. Jo vetëm ta pezullojë, por ta heqë plotësisht atë”, tha Custini të hënën. Ndërkohë vetë Grenelli dje ka ripërsëritur kërkesën e tij se taksa duhet të hiqet, në mënyrë që investimet të funksionojnë. “Taksa duhet të hiqet, në mënyrë që të funksionojnë investimet. Është thelbësore”, ka shkruar Grenelli në “Twitter”. Në anën tjetër, njohësit e rrethanave politike në vend thonë se nevojitet konsensus i plotë i spektrit politik kosovar në çështjen e dialogut. Në të kundërtën, sipas tyre, nëse vazhdon rivaliteti Thaçi – Kurti rrezikohet edhe pozicioni i Kosovës në këtë dialog.

Rivaliteti Thaçi – Kurti rrezikon dialogun me Serbinë

Ndonëse vitet e fundit dialogu me Serbinë është udhëhequr nga presidenti i vendit Hashim Thaçi, kryeministri i ri Albin Kurti ka paralajmëruar se timonin e këtij procesi do ta marrë vetë ai. Kurti në një deklaratë për medie theksoi se do të bashkëpunojë ngushtë me presidentin Hashim Thaçin për të përfaqësuar në mënyrë unike politikën e jashtme të vendit. “Është urgjente që ne të kemi një politikë të jashtme unike në arenën ndërkombëtare, që të mos vazhdohet sikur këto dy-tre vjetët e kaluar. Qeveria e re dhe unë si kryeministër i ri dua të koordinohemi edhe me presidentin aktual të vendit, në mënyrë që të mos kemi në politikën e jashtme një kakofoni, e cila me siguri do të bëhet e dëmshme. Mendoj që kjo është më e rëndësishmja për shtetin tonë dhe jo kush ku do të jetë pas disa muajsh”. Kurti tashmë e ka konfirmuar se do ta heqë tarifën ndaj mallrave të Serbisë, por atë do ta zëvendësojë me reciprocitet të plotë politik, tregtar dhe ekonomik.

Në anën tjetër, presidenti Hashim Thaçi vlerëson se procesi i dialogut midis Kosovës dhe Serbisë do të përmbyllet së shpejti me njohje reciproke falë punës së shkëlqyeshme të Shteteve të Bashkuara nën udhëheqjen e presidentit Donald Trumpit. Thaçi tha se epilogu i procesit të dialogut është skicuar, duke iu referuar letrave të presidentit Trumpit kohë më parë të drejtuara presidentit të Kosovës dhe atij të Serbisë. “Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka treguar vëmendje të madhe për forcimin e paqes dhe të stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Letrat e tij e kanë skicuar epilogun e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili duhet të përfundojë me njohje reciproke. Nën udhëheqjen e presidentit Trump dhe me punën e shkëlqyeshme të ambasadorit Grenell jam besimplotë se ky proces do të përmbyllet së shpejti me njohje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Jemi të bekuar me përkrahjen e përhershme të SHBA-së për popullin dhe për shtetin e Kosovës”, ka theksuar Thaçi në një shkrim në “Facebook”.

Maliqi: Dialogu Kosovë – Serbi në kolaps, nevojitet riformatizim

Njohësi i çështjeve politike dhe publicisti Shkëlzen Maliqi në një deklaratë për “Zërin” është shprehur i bindur se rivaliteti mes presidentit Thaçit dhe kryeministrit Kurtit mund ta dëmtojë Kosovën në dialog. Prandaj, sipas tij, duhet të ndiqen ligjet e përcaktuara me Kushtetutë, ku kërkohet unifikim mes këtyre dy figurave për zhvillimin e politikave të jashtme.

“Mendoj se nuk duhet të ketë rivalitet mes kryeministrit dhe presidentit, por bashkëpunim dhe koordinim, sepse sipas Kushtetutës që të dytë i kanë detyrat dhe kompetencat e përfaqësimit të vendit në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në negociata. Kur i referoheni të kaluarës së dialogut, është e vërtetë se presidenti Thaçi e ka udhëhequr shumicën e kohës dialogun me Serbinë, por efektivisht këtë e ka bërë në cilësinë e kryeministrit në fazat e hershme të dialogut, kur është arritur Marrëveshja e Brukselit dhe më vonë edhe disa marrëveshja tjera më specifike”.


Kësisoj Maliqi vlerëson se aktualisht dialogu Kosovë – Serbi është i vdekur dhe ka nevojë për riformatizim të skajshëm. “Kjo situatë është edhe sot nëse duam reciprocitet në përfaqësim politik. Mirëpo në ndërkohë ka ndodhur një ndryshim esencial. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja prej kohësh ka përjetuar kolaps, mbase edhe është i vdekur në atë format që e ka pasur. Ne duhet të mendojmë se të gjitha ato debate të brendshme që i kemi pasur më herët, se kush do t’i udhëheqë bisedat, formimet e ekipit të Kuvendit për dialog, përcaktimi i vijave të kuqe etj., sot duken si ndërmarrje të kota. Duhet të vetëdijesohemi se dialogu ka përjetuar vdekje klinike dhe se nuk mund të ringjallet në atë format të mëparshëm”, është shprehur Maliqi.

Ndërhyrja e SHBA-së në dialog dhe nevoja për konsensus

Publicisti Shkëlzen Maliqi më tutje vlerëson se me përfshirjen direkte të SHBA-së dhe të presidentit Donald Trump në dialogun Kosovë – Serbinë ky proces po merr një kahje të re. “Pas ndërhyrjes së SHBA-së me dy ndërmjetësues, mendoj se negociatat me Serbinë do të marrin një kahje dhe një format tjetër, për çka po punohet dhe po kërkohet edhe dakordimi i BE-së dhe nëse nuk arrijnë konsensus, atëherë partnere e SHBA-së mund të jetë Gjermania, ndoshta edhe Franca”.


Ky ndryshim i formatit, sipas Maliqit, është i qartë edhe për presidentin Thaçin dhe për kryeministrin Kurtin, pasi që dy liderët së fundmi janë deklaruar në favor të koordinimit dhe të bashkëpunimit. Kësisoj, sipas tij, një bashkëpunim mes spektrit politik kosovar, duke përshirë kryeministrin dhe presidentin e vendit, do të krijonte formulën e duhur për arritjen e një marrëveshjeje historike mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga bashkësia ndërkombëtare. “Nëse kryeministri Kurti me presidentin Thaçi arrijnë një koordinim të kënaqshëm, nuk ka nevojë të duhen, por le të komunikojnë dhe të pajtohen për parimet dhe ku eventualisht Kosova mund të jetë fleksibile, kjo do të ishte një gjë me rëndësi të madhe. Në njëfarë dore kjo formulë e bashkëpunimit të tyre e krijon atë konstelacion të forcave që kërkohet nga momenti historik, sepse thuhet se ka gjasa për arritjen e marrëveshjes historike me Serbinë”, ka përfunduar Maliqi.

KDI: Uniteti i brendshëm politik forcon pozitën e Kosovës në dialog

Në anën tjetër Violeta Haxholli, nga KDI-ja, në një deklaratë për “Zërin” ka theksuar se në bazë të Kushtetutës së Kosovës kryeministri i vendit është udhëheqës i politikës së jashtme, mirëpo në koordinim me presidentin e vendit. “Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka rikonfirmuar dispozitat kushtetuese sa i përket politikës së jashtme dhe përcakton që Qeveria, përkatësisht kryeministri, është udhëheqës i politikës së jashtme në koordinim me presidentin. Pra nuk ka nevojë për rivalitet, pasi Kushtetuta përcakton që politika e jashtme drejtohet nga kryeministri, në koordinim me presidentin”.


Sipas saj, nevojitet një konsensus mes kryeministrit Albin Kurtit dhe presidentit Hashim Thaçi, por edhe gjithë spektrit politik, me qëllim që Kosova të ketë një pozicion unik dhe shtetëror në dialogun me Serbinë. “Ky proces rrjedh në atë mënyrë që Qeveria definon politikën e jashtme të vendit, e cila pastaj përfaqësohet nga kryeministri në koordinim me presidentin. Meqë dialogu është çështje e rëndësishme, është mirë që Qeveria të ndërtojë konsensus edhe me subjektet opozitare, në mënyrë që në dialog Kosova të ketë një pozicion unik dhe shtetëror, i cili tejkalon interesat partiake. Uniteti i brendshëm politik forcon pozicionin e Kosovës në aspektin e jashtëm, në këtë rast në dialogun me Serbinë”, ka deklaruar ajo./Zëri.