Komuna e Kamenicës padit 23 prindër, këta të fundit kërkojnë ndihmë nga MASHTI

Përfaqësuesit e fshatrave Koretin, Topanicë, Busevatë dhe Krilevë, të martën janë takuar me përfaqësues të MASHT-it.

Duke qenë se me komunën e Kamenicës nuk po mund të dakordohen, iu drejtuan ministrisë së Arsimit në Prishtinë.
Fëmijët e këtyre prindërve nga Kamenica, kanë 3 javë që nuk vijojnë mësimin.

Krejt kjo, pasi shkollat në fshatrat e tyre, me reformat e reja në arsim të Komunës së Kamenicës, është paraparë të mbyllën.

E mësimin ata, janë udhëzuar ta ndjekin në shkollat e qytetit të Kamenicës.

Ndërkohë, në mungesë të ministres Hykmete Bajrami, këta prindër në takim i priti drejtori i departamentit të arsimit para universitar në MASHT, Alush Istogu.

T7 nuk u lejua të marrë pjesë në takimin mes tyre. Por pas tij, vetëm prindërit zgjodhën të flasin.

Maliqi thotë që morën premtime nga MASHT, por ata kanë nëvojë për një zgjidhje sa më të shpejtë.
Maliqi shton se është e mundimshme për të vegjlit të udhëtojnë çdo ditë nga 50 km vajtje – ardhje.Më herët këta prindër kishin zhvilluar edhe disa protesta e kishin nënshkruar peticione.

Ndërsa shprehen që nuk do të ndalen, derisa t’i realizojnë qëllimet e tyre.

Ndërkohë, nga Ministria e Arsimit nuk u prononcuan për këtë takim.

Por mbrapa kamerës, i thanë televizionit 7 se ministrja e arsimit, Hykmete Bajrami, të mërkurën këtë çështje do ta ngrisë në qeveri.

Ndryshe, Komuna e Kamenicës, ditë më parë, ka dorëzuar edhe një kallëzim penal ndaj 23 prindërve që punojnë në sektorin publik.

Ndërsa, kanë paralajmëruar edhe një padi tjetër, e cila do t’i përfshijë edhe prindërit e tjerë, me arsyetimin se nuk janë kujdesur për shkollimin e detyrueshëm të fëmijëve të tyre.