Ronaldo me akuza të rënda ndaj Barcelonës: Ata nuk më respektuan

Ronaldo Luis Nazario de Lima luajti për Barcelonën në edicionin 1996/1997, transmeton zeri.info

Në vetëm një vit ai shënoi 47 gola në 49 paraqitje në të gjitha garat dhe fitoi tre tituj me katalunasit – Kupën e Mbretit, Superkupën Spanjolle dhe Kupën e Fituesve të Kupave.

Por, pas vetëm një viti gjithçka ndryshoi.

Edhe pse të gjithë luftonin që ta kishin brazilianin në radhët e tyre, Barcelona vendosi që të mos vazhdojë me Ronaldon.

Ish-fituesi i Kampionatit Botëror thotë se Barcelona nuk e vlerësoi sa duhet.

“Në fund të atij edicioni, në 1997-n unë nënshkrova një kontratë me Barcelonën dhe pastaj shkova në kamp me kombëtaren. Pesë ditë më vonë ata më thirrën nga klubi dhe më thanë se unë nuk do të vazhdoja të luaja nën kushtet e kontratës së re”, ka deklaruar Ronaldo.

“Dëshira ime ishte që të qëndroja. Nëse klubi nuk më respektoi dhe nuk ishte në dijeni për vlerën time, gjërat nuk ishin më në duart e mia, përkundrazi, qëllimi im ishte të qëndroja, por nuk varej nga unë”, ka zbuluar ish-sulmuesi brazilian./Zëri