Lajmi i fundit: Tahir Batatina zbulon se çka ndodhi në takimin e FFK-së me klubet

Drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës kanë pritur sot në takim klubet e Superligës, shkruan zeri.info

Trajneri i Llapit dhe donatori i këtij klubi, Tahir Batatina ka thënë se gjatë këtij takimi është shpalosur qëndrimi i përbashkët i gjashtë skuadrave të ligës (KF Llapi, FC Prishtina, FC Ballkani, KF Trepça '89, FC Drenica dhe FC Ferizaj).

Ky është postimi i plotë i Batatinës në rrjetin social “Facebook”:

Të nderuar qytetarë, futbolldashës dhe media!

Njoftim rreth takimit të sotëm me Kryetarin dhe Sekretarin e FFK-së

Vazhdon qëndrimi i përbashkët i gjashtë skuadrave të Superligës (KF Llapi, FC Prishtina, FC Ballkani, KF Trepça '89, FC Drenica dhe FC Ferizaj)

Pas takimit të mbajtur me kryetarin e FFK-së, Agim Ademi dhe sekretarin e FFK-së, Eroll Salihu, i njoftuam ata me 2 pikat kryesore si kërkesat tona të vetme:

Pika e parë - Ne 6 klubet e lartëcekura nuk e njohim Komitetin Ekzekutiv i zgjedhur në kuvendin e datës 27.01.2020;

dhe

Pika e dytë - Ne 6 klubet e lartëcekura dhe disa klube tjera kërkojmë ndryshime statutare (që kërkojmë përfaqësimin e klubeve tona në Komitet me nga një anëtar të secilit klub të Superligës që të jemi të barabarta të gjitha klubet njësoj).

Ndërsa Kryetari na dha përgjigje që kërkesa jonë që e kemi bërë, është dërguar në FIFA dhe UEFA, njëherit ata u zotuan dhe na premtuan se të gjitha klubet e Superligës do të jenë pjesë e Komitetit Ekzekutiv në FFK nëse jemi në harmoni me rregulloret e UEFA-s dhe FIFA-s.

Ne klubet vendosëm që të vazhdojmë garën për hirë të ndeshjes së Përfaqësueses në muajin mars dhe njëherit po presim përgjigje nga UEFA dhe FIFA.

Në rast se prapë jemi të shkelur apo neglizhuar nga FFK-ja, atëherë presim edhe verdiktin e fundit të Gjykatës pasi që kemi bërë padi për arsye se janë shkelur pothuajse të gjitha nenet e Statutit gjatë Kuvendit të mbajtur më 27.01.2020 dhe do të marrim vendimet e fundit për të gjitha veprimet e radhës.

Me respekt

Anëtarët e Këshillit për Reformë dhe ndryshime statutare në FFK