Kryediplomati italian e ftoi Vjosa Osmanin për vizitë në Itali

Kuvendi i Kosovës përmes një komunikate për media njofton se kryetarja Vjosa Osmani sot është takuar me ministrin e Jashtëm të Italisë, Luigi Di Maio, me të cilin ka diskutuar për çështjet e bashkëpunimit dypalësh, si dhe procesin e integrimit të rajonit në BE.

Ajo, po ashtu, i shprehu mirënjohjen e popullit dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës për ndihmën që Italia, si vend mik, ia ka ofruar Kosovës në periudhat më të vështira të saj, por po vazhdon t’ia ofrojë edhe në kohën e konsolidimit të shtetësisë së saj.

“Ne kemi plane shumë ambicioze për zhvillim. Duam që pritjet e qytetarëve tanë t’i realizojmë me përpikëri, prandaj kemi nevojë për thellim të partneritetit me miqtë tanë”, ka thënë Osmani. Sipas saj, perspektiva evropiane është orientim strategjik i popullit të Kosovës.

“Përcaktimi ynë për integrim në strukturat euroatlantikë mbetet synim jetik i popullit të Kosovës”, ka shtuar kryetarja e kuvendit të Kosovës gjatë takimit me Di Maion.

Ministri Di Maio, pasi i shprehu urimet për përzgjedhjen e Osmanit në krye të institucionit më të lartë përfaqësues, theksoi se lidhjet me Kosovën, si vend me të cilin i lidh brezi mediteran, janë të shumëfishta dhe se qeveria e Italisë dhe ai si ministër i Jashtëm dëshirojnë që raportet e mira ndërmjet dy vendeve të thellohen edhe më tej. Ai e ftoi kryekuvendaren Osmani që ta vizitojë së shpejti Italinë, thuhet në komunikatë.

Sipas ministrit Di Maio, Italia i përkrah institucionet e Republikës së Kosovës në synimin e tyre për reforma, zhvillim ekonomik dhe krijim të perspektivës për të rinjtë e vendit.

“Investimi në teknologjitë e reja është një mënyrë për t’ua siguruar të ardhmen të rinjve të Kosovës”, ka thënë ministri Di Maio.

Ai, po ashtu, e shprehu gatishmërinë e shtetit italian që të bashkëpunojë më institucionet e Kosovës për zhvillimin e programeve të veçanta në fushë të teknologjisë informative, sigurisë dhe agjendës evropiane, përfundon komunikata.