Mbi 1000 të vdekurve nga koronavirusi

Virusi kinez mund të përhapet me anë të grimcave të ajrit ,edhe kur personi i infektuar del nga dhoma. Këtë e ka thënë një zyrtar mjekësor nga Qendra për Parandalimin dhe Kontrollimin e Sëmundjeve në Shangai, shkruan Dailymail.

Deri tani është konfirmuar se koronavirusi mund të përhapet me anë të teshtitjes dhe kollitjes, mirëpo së fundmi thuhet se ky virus mund të shpërndahet edhe përmes ajrit.

“Transmetimi i këtij virusi me anë të ajrit është i mundur përmes grimcave të imta, të cilat shpërndahen në ajër pas frymëmarrjes”, tha Zeng Qun, ekspert shëndetësor nga Shangai.

Këtë teori, e kanë hedhur poshtë zyrtarët mjekësorë nga Australia, duke thënë se kjo gjë nuk është e mundur, dhe deri tani nuk kemi prova që dëshmojnë se koronavirusi mund të përhapet përmes ajrit.

Sipas ekspertëve, nëse kjo teori është e vërtetë, atëherë kjo do të thotë që edhe mjekët dhe njerëzit e tjerë të shtrirë në spital, janë shumë më të rrezikuar nga infektimi me këtë virus.

Edhe pse kjo mënyrë e përhapjes ende nuk është konfirmuar, gjithsesi ekspertët bëjnë thirrje që njerëzit të kenë kujdes të shtuar, sidomos në vendet dhe hapësirat publike ku virusi mund të jetë aktiv.

Deri tani, si pasojë e koronavirusit janë infektuar 43.000 persona, dhe 1.018 të tjerë kanë vdekur.