Lekaj: Nuk ndryshohet bota me ardhjen e një kryeministri, taksa të mbetet
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Pal Lekaj pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të kësaj partie ka theksuar që qeveria e re në krye me Kurtin, duhet ta mbajë taksën 100 për qind ndaj produkteve serbe, si dhe duhet të vazhdojë së implementuari projektin për Autostradën e Dukagjinit. Lekaj i ka përgënjeshtruar pretendimet që dhënia e tenderit për këtë autostradë është realizuar pa procedurat ligjore, raporton “Zëri.info”.
“Për sa i përket taksës dhe autostradës ne si grup parlamentar me të drejtë do të kundërshtojmë fuqishëm dhe nuk është e vërtetë që nuk janë ndjekur procedurat sipas ligjit të prokurimit publik. Të gjitha procedurat janë ndjekur. Tetë segmente të autostradës janë duke u punuar dhe ka mbetur segmenti i dytë deri tek Dheu i Bardhë që mendoj se do të kryhet. Nuk ndryshohet bota me ardhjen e një ministri apo një qeverie dhe unë mendoj dhe i lutem të gjithë qeverisë Kurti e gjithë ministrave që institucionet funksionojnë, do të funksionojnë me ne apo pa ne, kështu që projektet duhet të mbështetet sepse shkojnë në të mirë të qytetarëve”, ka thënë ai.
Në anën tjetër duke folur për taksës, Lekaj theksoi se Kosova gabon rëndë nëse e heq atë.
“Për sa i përket taksës, Aleanca është e vendosur të shfrytëzojë të gjitha metodat demokratike, por në asnjë moment nuk do i përjashtojmë edhe protestat dhe veprimet e tjera sepse mendoj që Kosova gabon shumë rëndë nëse e heq edhe taksën dhe i`a lejon tregun Serbisë ne mbi 500 milionë euro”, ka thënë Lekaj. /ZËRI