Abrashi: Nuk ka pasur asnjë shkelje ligjore në projektin e Autostradës së Dukagjinit

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Gazmend Abrashi pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të kësaj partie ka theksuar që qeveria e re në krye me Kurtin, duhet ta mbajë taksën 100 për qind ndaj produkteve serbe, si dhe duhet të vazhdojë së implementuari projektin për Autostradën e Dukagjinit, raporton “Zëri.info”.

“Tema e bisedës ka qenë iniciativa e qeverisë së re për heqjen e taksës si dhe heqjen e projektit të Autostradës së Dukagjinit. Ne kemi marrë një qëndrim që Aleanca të përdorë të gjitha metodat e saj demokratike, faktike, me argumente që të mbrojë tezën e taksës dhe tezën e vazhdimit të Autostradës së Dukagjinit. Ne mendojmë që kemi shumë argumente dhe to të gjejmë metoda edhe publikisht edhe nëpërmes organizimit me komunitetin e biznesit, me komunitetin e prodhuesve, por edhe në Parlamentin e Kosovës, me dhënë argumente të sakta se pse taksa duhet të vazhdojë të mbetet në fuqi edhe pse Autostrada e Dukagjinit të implemtohet ashtu siç e ka paraparë projekti”, ka thënë Abrashi pas takimit të grupit parlamentar të AAK-së.

Duke folur mbi anulimin e tenderit për Autostradën e Dukagjinit, Abrashi theksoi se qytetarët e kësaj pjese, nuk duhet të lihen anash dhe pa autostradë, raporton tutje “Zëri.info”.

“Diku rreth 630 mijë qytetarë të Kosovës sot jetojnë në atë pjesë ku është i paraparë ndërtimi i kësaj autostrade. Nuk kemi asnjë arsye për të besuar që këta qytetarë duhet të ndahen nga projektet tjera. Ne shumë mirë e dimë që pas luftës kemi ndërtuar vetëm autostrada dhe kemi shumë argumente me besu që do të vazhdojmë me ndërtimin e kësaj rruge. Besoj që argumentet që do t`i japim në ndërkohë publikisht dhe ato të cilat do t`i paraqesim në Parlamentin e Kosovës, duhet të bëjmë shtytje që kjo Qeveri e cila vetëm ka paralajmëruar dhe që sot e kësaj dite nuk e di nëse ka marrë vendim, duhet të rrijë përkrahë qëndrimeve të qeverisë paraprake, pra të qeverisë “Haradinaj””, ka thënë ndër të tjera ai.

Të nevojshme ai e ka parë përshtatjen e veprimeve të qeverisë “Kurti”, me ato të qeverive të tjera paraprake. Sipas tij kontiuniteti është më se i domosdoshëm.

“Unë besoj që ne duhet të aplikojmë taksën e asaj që shteti nuk fillon prej një qeverie sot, gjegjësisht qysh nuk ka qëndruar as prej qeverive paraprake. Ne duhet të kuptojmë që qeveritë e Kosovës duhet të kenë një kontuinitet para çdo vendimi paraprak që kanë të bëjnë me autostrada, dhe të bëhet një studimi i fizibilitetit apo parafizibilitetit. Derisa e gjithë Evropa po ndërton vetëm autostrada duke marrë parasysh që shteti i Kosovës ka treguar një disiplinë jashtëzakonisht të madhe financiare, e ku borxhi publik i Kosovës është më i vogëli në regjion dhe na lejon mundësi që edhe të menaxhojë projekte të mëdha kapitale, qysh i kemi financuar deri më tani. Pasi që kemi mundësi financiare nuk po e shoh asnjë arsye që këto projekte të mos vazhdojnë së implementuari ashtu siç i kemi projektuar në qeveritë paraprake”, ka thënë tutje Abrashi, përcjell “Zëri.info”.

Abrashi u shpreh i bindur që në projektin e Autostradës së Dukagjinit nuk ka pasur asnjë shkelje ligjore.

“Personalisht mendoj që nuk ka pasur shkelje ligjore dhe prandaj sot jemi mbledhur që në princip të kemi qëndrimin tonë që autostradat duhet të vazhdojnë ashtu siç janë projektuar”, ka thënë ai.

Ndërsa, parimi i reciprociteti të cilin Kurti po synon ta fus në vend të taksës ndaj Serbisë, sipas Abrashit as nuk është i qartë si koncept. Sipas deputetit të AAK-së, rreth 80% e marrëveshjeve të arritura në mes të Kosovës dhe Serbisë as nuk kanë filluar së zbatuari, raporton tutje “Zëri.info”.

“Mendojmë që parimi i reciprocitetit për ne është edhe më tej një parim jashtëzakonisht abstrakt. Ende nuk e kemi as të qartë se çfarë nënkuptojmë me reciprocitet. Kosova prej pozicionit që e ka sot nuk ka instrumente politike që të aplikojë parimin e reciprocitetit, pasi që ky parim nënkupton që marrëveshjet që i kemi nënshkruar në Bruksel nga viti 2011 e tutje, janë mese 46 marrëveshje e ku rreth 80% e tyre nuk janë aplikuar. Mendoj që taksa ka qenë ajo e cila ka sensibilizuar çështjen e Kosovës, dhe vet fakti që në tavolinë të bisedimeve është kthyer Amerika me ambasadorin Grenell dhe me kancelaren Merkel kemi gjasa që marrëveshja të arrihet gjatë viti 2020”, ka thënë ai.

AAK-ja tashmë veçse ka filluar mbledhjen e nënshkrimeve për thirrjen e një seancë plenare lidhur me këto dy çështje. Abrashi konfirmoi se deri më tani i kanë të gjitha votat e deputetëve të AAK-së, teksa shtoi se janë në bisedime edhe me parti të tjera.

“Ne kundërshtimin do ta bëjmë vetëm me mjete demokratike, përmes Parlamentit të Kosovës. Sot jemi marrë vesh që të fillojmë mbledhjen e nënshkrimeve për seancë dhe të shohim se si do të vazhdojmë tutje. Ne do të zgjedhim metodat demokratike dhe për metoda të tjera të radikalizuara mendoj që Kosova sot e kësaj dite nuk ka nevojë për to”, ka thënë ai. /ZËRI