Shaljanët paralajmërojnë: Nëse nuk anulohet konkursi në Trepçë, do ta bllokojmë minierën e Stantërgut

Një protestë është zhvilluar sërish sot para objektit të menaxhmentit të “Trepça”.

Protestuesit i kanë dhënë kohë menaxhmentit që sot deri në orën 14:00 të japin një përgjigje për anulimin e konkursit në këtë ndërmarrje, në të kundërtën do të merren masa edhe më të ashpra.

Lajmin për Klan Kosova e ka konfirmuar Arsim Musa, nga Këshilli Organizativ.

” Po ne kemi pasur një protestë ku i kemi shprehur pakënaqësinë tonë lidhur me konkursin. Ne i kemi dhënë kohë që sot deri në orën 14:00 të anulojnë konkursin. Por deri më tani nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Ne do të marrim edhe masa tjera. “- tha Musa.

Ai shtoi se protestat e tjera do të mbahen edhe më masovike, duke bllokuar edhe punën në minierën e Stantërgut.

” Protestat e tjera do të jenë edhe më masovike. Herat e tjera do të marrin pjesë edhe më shumë njerëz. Ne kemi kontaktu edhe me kandidatët e tjerë që kishin apliku në konkurs. Do të na përkrahin edhe punëtorët. Ne do të marrim masa edhe më të ashpra duke bllokuar punën në minierën e Stantërgut “- shtoi Musa.

Musa thekson se Këshilli Organizativ ka tre kërkesa:

-Anulimin e konkursit;
-Shkarkimi i Bordit të “Trepçës”;
-Shkarkimi i drejtorit menaxhues.