Raporti i PE-së: Të hapen negociatat me Shqipërinë dhe RMV-në, të liberalizohen vizat për Kosovën

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Samitin e Zagrebit, Tonino Picula, ka përgatitur projekt-rezolutën e këtij institucioni për procesin e zgjerimit me vendet e Ballkanit, bazuar edhe në metodologjinë e rishikuar të Komisionit.

Euronews Albania ka zbuluar dokumentin e sapo përgatitur, i cili pritet të votohet para samitit të Zagrebit në seancë plenare dhe pas ndryshimeve që do të sjellin grupet e ndryshme politike në Parlament.

Dokumenti, i cili i drejtohet Komisionit dhe Këshillit të BE-së, i bën thirrje vendeve anëtare të mbajnë fjalën me ato vende që kanë plotësuar kriteret e përcaktuara, si dhe të njohin pasojat negative nga dështimi i Këshillit për të çelur negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, dhe të pranojnë se çelja e këtyre negociatave do të rikthejë besueshmërinë ndaj procesit.

Të hapen menjëherë negociatat për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

T’i jepet Kosovës liberalizimi i vizave, meqë masat paraprake janë përmbushur – kërkohet ndër të tjera në projekt-rezolutë.

Përveç mbështetjes së metodologjisë së re, dhe të gjithë proceseve që pritet të vijnë me të në termat e qasjes, kushtëzimit, kthimit pas kur është nevoja, apo rritjes së fondeve, investimeve, programeve të integrimit, dokumenti ndalet edhe në disa sfida aktuale për të gjithë rajonin.

“Të lehtësohen përpjekjet në Ballkan për kapërcimin e polarizimeve politike dhe të bojkoteve të zgjatura parlamentare ; të nxiten reforma zgjedhore që garantojnë zgjedhje të lira, të ndershme dhe transparente, në përputhje me standartet ndërkombëtare ; të dënohen fushatat njollosëse, kërcënimet dhe intimidimet kundrejt gazetarëve dhe mediave…” , janë disa prej rekomandimeve.

Dokumenti tetë faqesh ndërkohë pritet të pësojë ndryshime, fillimisht para votimit në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Evropian, e më pas edhe para votës përfundimtare në seancë plenare në muajt e ardhshëm.

Komisioni Evropian thotë se njeh efektet negative të dështimit për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut gjatë vitit 2019, thotë se hapja e negociatave për anëtarësim në BE do të rikthente kredibilitetin në procesin e integrimit.

Për këtë arsye, raporti rekomandon hapjen e menjëhershme të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut si dhe liberalizimin e vizave me Kosovën.

BE-së i kërkohet që të shmanget ulja e financimeve IPA, gjë e cila mundtë sillte ngadalësimin e reformave dhe ndikimin strategjik të unionit në rajon.

Për Samitin BE-Ballkani Perëndimor 2020, kërkohet që të injektojë dinamizëm të ri në procesin e zgjerimit dhe transformimit të vendeve që synojnë integrimin.

KE kërkon të nxisë përfshirjen e ekspertëve të ligjeve nga vendet anëtare të BE për përmirësimin e progresit të përafrimit të ligjeve të vendeve që kërkojnë të bëhen pjesë e unionit me ato të BE-së.

Gjithashtu kërkohet që të bëhet përpjekjet në gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor për të tejkaluar polarizimin e madh politik dhe bojkotin e tej zgjatur të Parlamentit.

Nga ana tjetër, kërkohet që të ndërmerren reforma elektorale për të siguruar zgjedhje të lira, të ndershme dhe transparente në linjë me standardet ndërkombëtare.

Po ashtu kërkohet të ndërmerren fushata kundër kërcënimit dhe intimidimit të gazetarëve dhe mediave.

Vendeve të Ballkanit Perëndimor gjithashtu u kërkohet që të rrisin standardet dhe të drejtat e punonjësve si dhe të luftohet largimi i trurit, sidomos i të rinjve.

Po ashtu u kërkonte autoriteteve që të marrin masa urgjente për monitorimin dhe parandalimin e ndotjes së ajrit dhe të ujit.

Sa i takon krizës së refugjatëve që ka prekur vendet e Ballkanit Perëndimor, vlerësohen përpjekjet që t’u siguruar strehim dhe mbështetje humanitare personave në nevojë.