Ruçi pas takimit me Kurtin: Kosova me sukses do t’i tejkalojë sfidat nën udhëheqjen e tij
Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, ka pritur në takim kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë.
Ruçi duke e uruar Kurtin për postin e ri tha se beson që nën udhëheqjen e tij Qeveria e Kosovës do t’iu bëjë ballë sfidave të reja.
“Nën lidershipin tuaj, Qeveria e Kosovës do t’i përballojë me sukses sfidat e vështira të zhvillimit, integrimit dhe fuqizimit të rolit e kontributit të Kosovës si një faktor paqeje, sigurie e stabiliteti në rajon. Sakrificat tuaja si politikan konsekuent janë një garanci për realizimin e këtij misioni dhe vënien në jetë të programit ambicioz qeverisës”.
Ruçi tha se Kuvendi i Shqipërisë do të jetë si gjithmonë në mbështetje të bashkëpunimit midis të dy vendeve dhe do të nxisë edhe më tej bashkëpunimin ndërqeveritar.
Ndërkaq, Kurti falënderoi Ruçin për mbështetjen e vazhdueshme të Kuvendit dhe të tijën personale ndaj bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri dhe vuri në dukje se ky bashkëpunim do të forcohet edhe më tej.
“Ne do të bashkëpunojmë me Qeverinë e Shqipërisë për lehtësimin e procedurave për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara midis të dy vendeve, nënshkrimin e marrëveshjeve të reja si edhe lehtësimin e qarkullimit të mallrave e shërbimeve midis Shqipërisë dhe Kosovës”.