UP që nga sot në pullë postare

Promovimin e kësaj pulle e ka bërë Posta e Kosovës me rast të shënimit të pesë dekadave të themelimit të Universitetit të Prishtinës si institucioni më i rëndësishëm arsimor, shkencor dhe kulturor në Republikën e Kosovës.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marian Dema tha se promovimi i kësaj pulle postare është aktivitet i rëndësishëm për Universitetin e Prishtinës si shpërblim i punës së madhe të këtij universiteti.

“Sot është aktiviteti i tretë që do të promovohet pulla postare, 50 vjetori i Universitetit të Prishtinës. Kjo pullë postare vjen si shpërblim i punës së ma dhe që ka bërë Universiteti i Prishtinës për 5 kjo është një vlerë e veçantë, që besoj se është edhe një vlerë e veçantë për Postën e Kosovës sepse e nderon një tempull i cili për 50 vite ka dhënë dritë, ka dhënë profesionist, ka dhënë kontribute në të gjitha fushat”, deklaroi Dema.

Dema shtoi se shtetin e Kosovës e ka lindur ky universitet, prandaj është i lidhur ngushtë me fatin e popullit të Kosovës dhe është obligim për secilin që ta rrisë dhe zhvillojë atë.

“Historikisht fati i Universitetit të Prishtinës ka qenë i lidhur ngushtë me fatin e popullit të Kosovës, po jo vetëm aq, ndoshta nuk është edhe e rëndësishme që këto dy data, data e themelimit të Universitetit të Prishtinës, dhe data e pavarësisë janë kaq afër që do të thotë se këtë shtet e ka lind ky Universitet dhe e kemi obli gim ta rrisim, ta zhvillojmë dhe ta bëjmë një shtet që do të jetë i këndshëm, që do t’i trajtojë të gjithë në mënyrë të barabarta, në të cilin çdonjëri ta realizojë ëndrrën e vet”, tha Dema, raporton Kosovapress.

Kryeshefi ekzekutiv i postës së Kosovës, Shefqet Avdija tha janë krenarë që kanë bërë promovimin e pullës postare për Universitetin e Prishtinës me qëllim të promovimit të vlerave në Republikën e Kosovës.

Avdija tha se historia e Universitetit të Prishtinës është e pandashme me historinë e popullit, andaj edhe kjo pullë postare do të udhëtojë kudo nëpër botë me imazhin e tempullit të arsimit si institucioni më i rëndësishëm në Kosovë.

“Që nga themelimi historia e këtij universiteti mbetet e pandashme me historinë e popullit të Kosovës, universiteti i Prishtinës për dallim nga Universitetet e Evropës veprimtarinë e kanë zhvilluar në dy fronte atë të luftës për dije dhe atë të luftës për liri. Kjo dëshmoi edhe një herë se shkolla arsimi dhe dija janë parakusht për ndërtimin e lirisë shpirtërore si hap i parë në realizimin e lirisë fizike, prandaj kjo pullë postare do të udhëtojë kudo nëpër botë me imazhin e tempullit tonë të arsimit dhe të dijes”, deklaroi Avdija

UP u themelua me Ligjin mbi themelimin e Universitetit, të cilin e miratoi Kuvendi i ish-Krahinës Socialiste të Kosovës më 18 nëntor 1969.

Kuvendi themelues i Universitetit “Hasan Prishtina” u mbajt më 13 shkurt 1970.

Ndërsa, me 15 shkurt 1970 u mbajt mbledhja solemne e Kuvendit dhe kjo datë u shpall Dita e Universitetit të Prishtinës.