Së paku 24 amerikanë të infektuar me koronavirus në anijen japoneze
Të paktën 24 qytetarë amerikanë janë në mesin e 135 personave të infektuar me koronavirus në anijen japoneze “Diamond Princess”, e cila është vendosur në karantinë.
Autoritetet nuk treguan për përkatësinë kombëtare të gjashtë pacientëve të rinj, të cilët u diagnostikuan me koronavirus së fundi.
Të gjithë personat e dyshuar për këtë virus po vendosen në karantinë dyjavore në kohën kur zyrtarët shëndetësorë në mbarë botën po përpiqen ta kufizojnë përhapjen e mëtejme të koronavirusit.
Më shumë se 3700 persona, përfshirë 428 amerikanë, janë izoluar në anijen e madhe japoneze, e cila u bllokua për qarkullim pas identifikimit të disa rasteve me koronavirus, shkruan “CNN”.
Në mesin e amerikanëve të infektuar është student Spencer Fehrenbacher, i cili dëshironte ta festonte Vitin e Ri Kinez me miqtë e tij në këtë anije.
Tash, ai është mbyllur në kabinën personale dhe po e kalon kohën duke lexuar libra e duke e shikuar televizorin, pa mundur t’i shfrytëzojë hapësirat e tjera të anijes luksoze.