26-vjeçarja nga Tetova e braktis foshnjën në QKUK, thotë se dëshiron ta falë atë

Një 26-vjeçare, banore e Tetovës së Maqedonisë Veriore, e ka braktisur foshnjën e saj në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Ajo po pretendon se foshnjën e ka me një mashkull rreth 27 vjet më të vjetër se ajo, pra me një  54-vjecar. Foshnja, sipas saj, është e një lidhjeje jashtëmartesore. Në deklaratën e saj dhënë mjekëve, ajo thotë se foshnjën po e braktis me qëllimin qe t’ia falë dikujt.

Lajmin se kjo grua e ka braktisur foshnjën e ka konfirmuar për Express drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Jakup Ismaili.

Ai ka deklaruar se gruaja po thotë se nuk e do foshnjën. Mirëpo për këtë rast është njoftuar Policia e Kosovës. Kjo e fundit në këto momente gjendet në Gjinekologjinë e QKUK ‘së duke e intervistuar gruan në fjalë.

“Rasti është i dyshimtë. E kam njoftuar policinë dhe po merret me rastin. Bëhet fjalë për një grua me vit të lindjes 1993”, i tha Ismaili Express-it.

Ndërkohë gjendja shëndetësore e foshnjës është e mirë. Ajo gjendet pranë Klinikës së Neonatologjisë te rastet e kujdesit social.

Detaje për foshnjën ka dhënë drejtori i Klinikës së Neonatologjisë, Xhevdet Gojnovci.

“Foshnja është në gjendje të mirë shëndetësore. Po trajtohet tek ne në repartin e e rasteve sociale”, ka deklaruar Gojnovci.

Ndërkohë Express-i shpejt do t’ju sjellë detaje të reja për këtë rast.