S’ka raste të dyshuara me koronavirus në Kosovë, mjekët marrin masa

Përhapja e virusit vdekjeprurës “Korona” po vazhdon të rritet në Evropë, duke rrezikuar edhe Kosovën. Persona të shumtë nga Kosova, të cilët shkojnë për vizita në shtetet tjera ku ka të prekur me këtë virus e që pastaj kthehen në vend rrezikojnë të preken me koronavirusin, i cili pastaj shumë lehtë mund të bartet edhe te qytetarët tjerë, shkruan sot gazeta Zëri.

Për t’u mbrojtur nga ai nga institucionet e shëndetësisë në vend thuhet se janë të furnizuara me pajisje të nevojshme, mirëpo ditë më parë u ironizua se mjekët kosovarë nuk janë të përgatitur për t’u ballafaquar me virusin kinez. Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, është shprehur se maskat që po përdoren nga mjekët nuk mund ta ndalin koronavirusin.

Nga Klinika Infektive në QKUK është thënë se momentalisht janë furnizuar me disa pajisje të nevojshme dhe në rast të paraqitjes së rasteve të prekura me virus do të furnizohen edhe me pajisjet tjera. Përveç pajisjeve, problematikë është edhe mungesa e personelit mjekësor në vend. Nga Klinika Infektive është thënë se në rast të përhapjes së koronavirusit do të kërkojnë ndihmë edhe nga infektologët në spitalet rajonale, përderisa vetë këto spitale kanë mungesë të konsiderueshme të stafit.

Infektologu në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Valbon Krasniqi, ka thënë për “Zërin” se momentalisht nuk kanë asnjë rast të dyshuar me koronavirus. Ai ka përmendur edhe pacienten britanike, e cila ditë më parë u dyshua të jetë e prekur me virusin vdekjeprurës, me ç’rast ka theksuar se ajo është liruar nga klinika. “Unë mund t’ju konfirmoj se në Klinikën Infektive nuk kemi asnjë rast të dyshuar që është i prekur me koronavirus, në përjashtim të një rasti i cili ishte i dyshimtë, por edhe ai ka rezultuar se nuk është dhe pacientja është liruar. Ajo ka qëndruar 24 orë dhe nuk ka pasur nevojë të qëndrojë më shumë. Gjendja e përgjithshme e saj ka qenë shumë e mirë”, ka thënë ai.
Sa u përket pajisjeve të nevojshme dhe përgatitjeve, ai ka bërë të ditur se Klinika është në vazhdimësi duke përcjellë rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik. Sipas tij, janë duke u bërë përgatitjet se ku do të lajmërohet pacienti, i cili dyshohet të jetë me koronavirus e çfarë tretmani do të ketë. “Për fazën në të cilën jemi, ne kemi pajisjet e nevojshme për t’u ballafaquar me rastet e mundshme. Nëse paraqiten raste, atëherë edhe niveli i gatishmërisë rritet në një shkallë më të lartë. Ne i kemi maskat e nevojshme dhe kemi aparaturën e nevojshme. Stafi është i njoftuar dhe janë bërë përgatitjet se ku do të lajmërohet pacienti nëse është i dyshimtë, pastaj si duhet të qarkullojë brenda Klinikës, çfarë analizash duhet të merren e çfarë tretmani duhet të ketë”, ka potencuar ai.
Krasniqi ka thënë se pajisjet tjera të nevojshme për koronavirusin mund të vijnë vetëm në rast të paraqitjeve të rasteve që konfirmohen. /ZERI