Eurodeputetët pro propozimeve për reformimin e negociatave të anëtarësimit

Propozimet e fundit të Komisionit Europian për reformimin e procesit të anëtarësimit janë përshëndetur nga deputetët e Parlamentit Europian. Ato shihen si urë për çeljen e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut.

Deputetët e Parlamentit Europian i kanë mbështetur të mërkurën propozimet e reja të Komisionit Europian për reformën e procesit të zgjerimit të BE me vende të tjera. Kjo reformë u bë e nevojshme pas këmbënguljes së Francës, se para zgjerimit me vende të tjera e çeljes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duhet të kryhet njëherë reforma e procesit nga vetë BE. Propozimet e reja duket se mirëpriten tani nga eurodeputetët.

Eurodeputetja hungareze, Kinga Gal nga grupi i parlamentar i partive popullore (EVP) u shpreh të hënën (10.02) në seancën plenare të Parlamentit Europian në Strasburg, se këto propozime janë një urë për të zgjidhur problemin e negociatave të ngecura me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Kurse i ngarkuari i BE-së për zgjerimin, Oliver Varhelyi tha se procesi i negociatave duhet të bëhet më i besueshëm. Eurodeputeti bullgar, Ilhan Kyuchuk nga grupi parlamentar liberal Renew në plenumin e Strasburgut theksoi, se metodologjia e re tani duhet të sjellë dinamikë në procesin e negociatave dhe jo ta bëjë procesin më të komplikuar.

Merkel-Orban: Samiti i BE-së në mars sinjali i hapjes së negociatave

Procesi i integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE ishte temë bisedimi edhe në vizitën e kryeministrit hungarez, Viktor Orban me kancelaren Merkel të hënën në Berlin. Merkel dhe Orban përforcuan qëndrimin, se samiti i BE-së në mars duhet të japë sinjalin e hapjes së bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Orban nga ana e tij kërkoi që të përfundojnë bisedimet e anëtarësimit me Serbinë. “Bisedimet me Serbinë duhet të përshpejtohen dhe të përmbyllen” tha Viktor Orban para takimit me kancelaren Merkel. “Vetëm kështu mund të arrihet stabilizimi i rajonit të Ballkanit Perëndimor.”

Çelja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut u bllokua në vjeshtën e vitit të kaluar për shkak të vetos franceze. Presidenti francez, Macron kërkoi reformimin e procesit. Tani propozimi i ri i Komisionit parashikon që 35 kapitujt e anëtarësimit të ndahen në gjashtë grupime tematike. Negociatat do duhet të fillohen tek të gjashtë tematikat. Me këtë Komisioni Europian shpreson që të ketë sukses çelja e negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut në samitin e BE në Maj në Zagreb./DW

SHPËRNDAJE