Grupi Boko Haram djeg për së gjalli 30 njerëz në Nigeri, përfshirë një grua shtatzënë
Së paku 30 persona, përfshirë një grua shtatzënë, janë vrarë pasi sulmuesit e dyshuar të grupit Boko Haram ua vunë zjarrin automjeteve në të cilat po flinin disa udhëtarë. Ngjarja e tmerrshme ndodhi në rajonin Borno të Nigerisë.
Më saktësisht, sulmi ndodhi në fshatin Auno, rreth 20 kilometra larg kryeqytetit rajonal, Maiduguri. Militantët i dogjën 18 automjete, përfshirë kamionët e ngarkuar me ushqime.
Shehu Tanko, një banor lokal, tha se trupat e një gruaje shtatzënë dhe një foshnjeje janë gjetur në vendin e ngjarjes, shkruan CNN.
“Ata djegin gjithçka. Zjarri ende ishte aktiv deri në mëngjes. Ende jemi duke kërkuar trupa në këtë vend”, tha ai.
Dhjetëra mijëra njerëz janë detyruar të zhvendosen nga shtëpitë e tyre për shkak të sulmeve të vazhdueshme të grupit Boko Haram, transmeton Gazeta Express.
Në vitin 2014, ky grup i kishte rrëmbyer shumë nxënëse nga një shkollë. 112 prej tyre ende janë të zhdukura.