Njihuni me shoferen e taksisë nga Rahoveci

Rinora Nurshaba nga Rahoveci së fundmi ka filluar ta ushtrojë profesionin e shoferës së taksisë.

E veçantë e punës së saj është fakti se ajo punon vetëm me pasagjere të gjinisë femërore, gjë e cila është mirëpritur nga qytetarët e Rahovecit.

Komentet që i merr ajo gjatë orarit të punës janë të shumta, ndër to janë vetëm fjalët e mira dhe përgëzimet për punën që ajo bën.

Rinora në një emision televiziv ka treguar se puna e saj është pritur teper mirë, sidomos nga gratë të cilat nuk vozitin.

“Femrat ndihen komode, janë më të lira që të udhëtojnë me neve si shofere gra dhe vazhdimisht na falenderohen që ua kemi mundësuar t’i ndihmojmë t’i  plotësojnë nevojat e tyre ditore”, ka thënë ajo për RTV Dukagjini

Vozitëset gra të kompanisë Radio Taxi, punojnë me orar rotativ. Orari i paraditës fillon në ora 08:00 deri në ora 16:00 dhe orari i pasditës fillon nga ora 16:00 deri në ora 23:00.

Kjo kompani ka synim të shndërrohet në ndërmarrje esenciale dhe në këtë mënyrë të fillojë e të ushtrojë edhe aktivitete të tjera, në mënyrë që të sigurojnë më shumë të ardhura.

Adelina Paçarizi e cila drejton shoqatën e cila ua mundëson grave edhe aftësimin në vozitje për t’i punësuar pastaj si shofere të taksisë, thotë se problemi qëndron se kanë në dispozicion vetëm një veturë.

Kjo po bën që të mos arrijnë t’i plotësojnë të gjitha kërkesat e klienteve dhe na e pamundëson fitimin më të madh të të ardhurave.