Kosova ka nevojë për pajisje shtesë për t’u mbrojtur nga koronavirusi

Mbi 900 persona së fundmi është raportuar se kanë vdekur nga koronavirusi, i cili po përhapet furishëm në shumë shtete. Për t’u mbrojtur e për t’i trajtuar rastet në rast të përhapjes së këtij virusi në vend institucioneve shëndetësore do t’u duhen më shumë mjekë e mjete, shkruan sot gazeta Zëri.

Përhapja e virusit vdekjeprurës “Korona” po vazhdon të rritet në Evropë, duke rrezikuar edhe Kosovën. Persona të shumtë nga Kosova, të cilët shkojnë për vizita në shtetet tjera ku ka të prekur me këtë virus e që pastaj kthehen në vend rrezikojnë të preken me koronavirusin, i cili pastaj shumë lehtë mund të bartet edhe te qytetarët tjerë.

Për t’u mbrojtur nga ai nga institucionet e shëndetësisë në vend thuhet se janë të furnizuara me pajisje të nevojshme, mirëpo ditë më parë u ironizua se mjekët kosovarë nuk janë të përgatitur për t’u ballafaquar me virusin kinez. Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, është shprehur se maskat që po përdoren nga mjekët nuk mund ta ndalin koronavirusin.

Nga Klinika Infektive në QKUK është thënë se momentalisht janë furnizuar me disa pajisje të nevojshme dhe në rast të paraqitjes së rasteve të prekura me virus do të furnizohen edhe me pajisjet tjera. Përveç pajisjeve, problematikë është edhe mungesa e personelit mjekësor në vend. Nga Klinika Infektive është thënë se në rast të përhapjes së koronavirusit do të kërkojnë ndihmë edhe nga infektologët në spitalet rajonale, përderisa vetë këto spitale kanë mungesë të konsiderueshme të stafit.

S’ka raste të dyshuara me koronavirus në Kosovë, mjekët marrin masa

Infektologu në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Valbon Krasniqi, ka thënë për “Zërin” se momentalisht nuk kanë asnjë rast të dyshuar me koronavirus. Ai ka përmendur edhe pacienten britanike, e cila ditë më parë u dyshua të jetë e prekur me virusin vdekjeprurës, me ç’rast ka theksuar se ajo është liruar nga klinika. “Unë mund t’ju konfirmoj se në Klinikën Infektive nuk kemi asnjë rast të dyshuar që është i prekur me koronavirus, në përjashtim të një rasti i cili ishte i dyshimtë, por edhe ai ka rezultuar se nuk është dhe pacientja është liruar. Ajo ka qëndruar 24 orë dhe nuk ka pasur nevojë të qëndrojë më shumë. Gjendja e përgjithshme e saj ka qenë shumë e mirë”, ka thënë ai.

Sa u përket pajisjeve të nevojshme dhe përgatitjeve, ai ka bërë të ditur se Klinika është në vazhdimësi duke përcjellë rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik. Sipas tij, janë duke u bërë përgatitjet se ku do të lajmërohet pacienti, i cili dyshohet të jetë me koronavirus e çfarë tretmani do të ketë. “Për fazën në të cilën jemi, ne kemi pajisjet e nevojshme për t’u ballafaquar me rastet e mundshme. Nëse paraqiten raste, atëherë edhe niveli i gatishmërisë rritet në një shkallë më të lartë. Ne i kemi maskat e nevojshme dhe kemi aparaturën e nevojshme. Stafi është i njoftuar dhe janë bërë përgatitjet se ku do të lajmërohet pacienti nëse është i dyshimtë, pastaj si duhet të qarkullojë brenda Klinikës, çfarë analizash duhet të merren e çfarë tretmani duhet të ketë”, ka potencuar ai.

Krasniqi ka thënë se pajisjet tjera të nevojshme për koronavirusin mund të vijnë vetëm në rast të paraqitjeve të rasteve që konfirmohen.

Apelohet që qytetarët të njoftohen më shumë se si duhet ta menaxhojnë situatën

Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, ka apeluar te Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në vend që t’i njoftojë më shumë qytetarët se si duhet të menaxhohet situata sa i përket koronavirusit. Ai ka thënë se masat mbrojtëse duhet të jenë më të rrepta gjithkund, jo vetëm në Institut e në Klinikën Infektive. “Sa kam lexuar, virusi është një nga 400 llojet të cilat ekzistojnë. Klinika Infektive ka staf, i cili është i përgatitur. Nuk kanë ngelur asgjë prapa. Ajo çfarë unë apeloj është që sa më shpejt Instituti edhe pse ka dalë me programin e vet, ta njoftojë pak më shumë popullatën se si duhet të menaxhohet situata. Besoj se masat mbrojtëse duhet jenë pak më të rrepta, jo vetëm në Infektivë e në Institut, por në të gjitha pikat”, ka thënë ai.

Nga Klinika Infektive është thënë për gazetën më herët se në rast të përhapjes së koronavirusit në vend do të kërkojnë staf edhe nga spitalet rajonale. Syla ka thënë se këto spitale kanë staf mangët, porse do të angazhohen edhe ata mjekë që janë. “Se sa kemi mjekë nëpër spitalet rajonale po dihet tani se ne kemi staf mangët, meqë infektologë nuk kemi. Por ata që janë duhet të inkuadrohen nëse vjen deri te kjo situatë. Ne duhet të dimë se në situata të tilla të gjithë mjekët angazhohen. Shpresoj të mos vijë deri te një pandemi e tillë”, ka theksuar ai.

Mbi 900 persona të vdekur e mbi 40 mijë të prekur nga koronavirusi

Numri i personave të vdekur nga koronavirusi ka shkuar në mbi 900, kështu është rritur edhe numri i të prekurve me të. Raportohet se numri i personave nën vëzhgimin mjekësor është rritur në 187 mijë e 518, ndërsa numri i atyre që mendohet se janë të infektuar qëndron në mbi 40 mijë. Autoritetet në Kinë kanë bërë të ditur se janë raportuar 40 mijë e 171 raste të konfirmuara, ndërsa gjatë të dielës 97 persona kanë vdekur dhe mbi 3 mijë raste të reja janë zbuluar. Virusi është përhapur në më shumë se 24 vende të tjera, duke përfshirë në SHBA, Singapor, Francë, Gjermani, Itali, Suedi, Rusi, Spanjë dhe Indi.

Qeveria e Britanisë së Madhe e ka shpallur koronavirusin kërcënim serioz dhe të pashmangshëm për shëndetin publik. Ministri i Shëndetësisë, Matt Hancock, ka njoftuar se kjo masë është marrë që të sigurohet mbrojtja e shëndetit publik nga përhapja e mundshme e virusit të rrezikshëm. /ZERI