PDK-ja vazhdon bojkotin, Kuvendi seancë të enjten

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka caktuar seancë plenare këtë të enjte për formimin e komisioneve parlamentare. Ashtu si herën e kaluar edhe këtë mbledhje të Kryesisë e ka bojkotuar Partia Demokratike e Kosovës, madje kthimin e tyre në Kryesi PDK-ja e ka kushtëzuar me kthimin e fotografisë së presidentit Thaçi në vendin ku ka qenë. Sipas analistëve, PDK-ja po fshihet pas fotografisë së Thaçit, por bojkoti i tyre po bëhet për arsye të tjera, shkruan sot gazeta Zëri.

Pas dakordimit në Kryesinë e Kuvendi për krijimin e 14 komisioneve parlamentare, Kuvendi i Kosovës të enjten do të mbajë seancë plenare. Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, theksoi se propozimet që janë votuar në mbledhjen e djeshme të Kryesisë për Komisionet Parlamentare dhe për udhëheqjen e tyre do të dërgohen në seancën e së enjtes për votim formal nga deputetët, në mënyrë që komisionet të funksionalizohen. Osmani ka kërkuar nga grupet parlamentare që deri të mërkurën t’i dërgojnë emrat e anëtarëve të komisioneve në mënyrë që përbërja e plotë e tyre të votohet ashtu siç e cakton Rregullorja. Ajo shtoi se Kryesia është dakorduar që Kuvendi të mbajë seancë për çdo të enjte. “U pajtuam të gjithë që seanca të mbahet të enjten, meqenëse kemi humbur mjaft kohë dhe jemi vonë me shumë vendime të rëndësishme në interes të shtetit. Do të synojmë që për çdo të enjte të mbajmë seanca, përveç kur ka ndonjë zhvillim tjetër”, ka deklaruar ajo.

Mirëpo mbledhja dhe të gjitha propozimet janë bërë në mungesë të Partisë Demokratike të Kosovës. Grupi Parlamentar i PDK-së për të dytën herë radhazi e bojkotoi mbledhjen e Kryesisë pasi kryetarja e Kuvendit kishte zhvendosur fotografinë e presidentit Hashim Thaçi nga vendi ku qëndronte në zyrën e saj, gjë që sipas PDK-së, përbën shkelje ligjore. Madje nga kjo parti kanë kushtëzuar kthimin e tyre në Kryesi me kthimin e fotografisë së Thaçit në vendin ku ka qenë. Ky veprim i PDK-së sipas analistëve ka arsye të tjera. Ata theksojnë se nëse PDK-ja e konteston zgjedhjen e Osmanit si kryeparlamentare për këtë duhet t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese dhe jo t’i bojkotojnë institucionet e vendit.

Kuvendi, me 14 komisione parlamentare

Të enjten Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë plenare për formimin e komisioneve parlamentare. Siç ka njoftuar kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, deputetët fillimisht duhet të votojnë me dy të tretat e votave për zvogëlimin e numrit të komisioneve parlamentare në 14, dy më pak sesa kanë qenë në legjislaturën e kaluar.

Legjislatura e shtatë e Kuvendit do t’i ketë këto komisione:

Komisioni për Punë të Jashtme dhe për Diasporë do të udhëhiqet nga AAK-ja, Komisioni për Integrim Evropian nga LDK-ja, Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsion nga LDK-ja, Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport nga LDK-ja, Komisioni për Buxhet dhe Financa nga LVV-ja, Komisioni për Qeverisje Lokale, Zhvillim Rajonal dhe Medie nga PDK-ja, Komisioni për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike nga Nisma, Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe të Mbrojtjes nga LVV-ja, Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale nga AAK-ja, Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis nga LVV-ja, Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve nga Lista Serbe, Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione nga Grupi 6 Plus, Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike nga PDK-ja, Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë nga PDK-ja.

Për fotografinë e Thaçit PDK-ja sërish bojkoton Kryesinë e Kuvendit

Mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit dje për të dytën herë radhazi Partia Demokratike e Kosovës e ka bojkotuar për shkak të zhvendosjes së fotografisë së presidentit Hashim Thaçi nga vendi i mëparshëm në zyrën e kryetares së Kuvendit dhe zëvendësimin e vendit të fotografisë së tij me atë të ish-presidentit Ibrahim Rugova nga vetë kryeparlamentarja.

Partia e Kadri Veselit e ka kushtëzuar kthimin në mbledhje të Kryesisë me kthimin e fotografisë së presidentit Thaçi në vendin ku ka qenë. Përmes një shkrese zyrtare drejtuar Osmanit, PDK-ja ka theksuar se ky bojkot është veprim simbolik e politik ndaj shkeljeve ligjore, që Osmani ka bërë me rastin e heqjes së fotografisë zyrtare të presidentit të Kosovës. Kësisoj PDK-ja ka kërkuar që Osmani ta kthejë sa më parë fotografinë e presidentit Thaçi në vendin ku ka qenë dhe të distancohet nga këto veprime, në të kundërtën PDK-ja paralajmëron pasoja në jetën institucionale. “Ju inkurajojmë ta ktheni fotografinë e presidentit në pjesën ballore të zyrës dhe të distancoheni nga qasja joinstitucionale dhe të mos krijoni një precedent të tillë, i cili do të ketë pasoja jo vetëm në nivel të zhvillimit të jetës institucionale dhe politike në planin afatshkurtër, por edhe do të ketë pasoja afatgjate në aspektin e zhvillimit dhe të kultivimit të kulturës shtetërore, kushtetuese dhe parlamentare në demokracinë tonë të re” thuhet në shkresën e PDK-së drejtuar Osmanit.

PDK-ja po fshihet pas fotografisë së Thaçit, bojkoti për qëllime të tjera

Kryekuvendarja Vjosa Osmani e ka quajtur politik bojkotin e PDK-së ndaj mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit. Ajo thotë se me bojkotin e saj PDK-ja po fshihet pas arsyetimeve për shkelje ligjore, por në fakt arsyet janë tjera. Sipas saj, PDK-ja ka nisur bojkotimin e institucioneve të vendit që nga 3 shkurti, ende pa u lëvizur fotografia e presidentit. “PDK-ja ka nisur bojkotin ndaj institucioneve më 3 shkurt. Por nëse tash gjejnë arsyetime se si e dekoroj unë zyrën time le të përdorin arsyetime të tilla, sepse nuk e gjejnë guximin ta tregojnë të vërtetën. Bojkoti i tyre ka filluar në mbrëmjen kur u votua Qeveria e Kosovës dhe unë si kryetare e Kuvendit. Pra bojkoti i tyre është politik dhe nuk ka asnjë lidhje tjetër me temat, që po i përdorin si arsyetim”, ka deklaruar ajo.

Sipas analistëve, PDK-ja po e konteston zgjedhjen e saj si kryetare Kuvendi pa dorëheqjen e Glauk Konjufcës, i cili e mbante këtë pozitë. Kësisoj ata theksojnë se PDK-ja mund të ushtrojë ankesë në Gjykatën Kushtetuese mbi mënyrën se si është zgjedhur ajo. Por Osmani theksoi se nëse ndonjë deputet ose grup parlamentar ka dyshime mbi procedurën se si ajo është zgjedhur, ka të drejtë të ankohet në organet kushtetuese, porse edhe pas shkarkimit të saj Vetëvendosja si partia më e madhe në përputhje me marrëveshjen politike me LDK-në do ta propozonte sërish atë për kryeparlamentare. Prandaj, ajo thekson se kjo vetëm do të merrte kohë.

Edhe njohësi i çështjeve politike Blerim Vela ka deklaruar se nëse PDK-ja dëshiron ta kontestojë zgjedhjen e Osmanit si kryeparlamentare le të ankohet në Gjykatën Kushtetues, por të mos fshihet pas fotografisë së presidentit Thaçi. “Nëse PDK-ja ka për qëllim ta kontestojë në Gjykatën Kushtetuese zgjedhjen e Vjosa Osmanit si kryeparlamentare, nuk ka nevojë të fshihen pas çështjes së portretit të presidentit për ta bojkotuar punën e Kryesisë së Kuvendit dhe autoritetin e kryetares së Kuvendit. Duhet ta thotë troç nëse e njohin atë si kryetare legjitime të Kuvendit. Përndryshe, parimësia e PDK-së do të testohet nëse mosnjohja e tyre e autoritetit të kryetares së Kuvendit nënkupton edhe bojkotim të seancave plenare”, ka përfunduar Vela. /ZERI