Haradinaj për deklaratën e Abdixhikut: Mendoj se Ministri i ri është treguar pak euforik
Deputeti i AAK’së, Daut Haradinaj, ka thënë në emisionin Pressing në T7 se Ministri i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku, është treguar euforik në dekalratën e tij për ndërtimin e Autostradës në Anamoravë, prej të cilës anë ai ka origjinën.
“Autostrada e Anamoravës do të bëhet dhe pikë. Brenda këtij mandati qeverisës. Është pika e parë infrastrukturore e programit të qeverisë së re. Por do të bëhet sipas ligjeve në fuqi. Sipas Buxhetit 2020! Me ligj dhe mirë. Dhe jo vetëm autostrada për Anamoravën. Sot takova zyrtarët e Bankës Botërore. U dakorduam të përshpejtojmë marrëveshjen për kredi që kishte mbetur në harresë. 60 milionë euro investime në ujëra për ndërtimin e digave në regjionin e Gjilanit dhe kështu adresimin e problemit të thatësisë njëherë e mirë”, kishte shkruar ky i fundit në Facebook pak kohë pasi mori pozitën.
Haradinaj thotë se Ministri është pak më i ri në moshë dhe është treguar euforik.
“Mendoj se Ministri i ri është treguar pak euforik”, ka thënë Haradinaj.
“E kuptojmë rëndësinë e autostradës së Anamoravës. Ajo e lidhë Kosovën me Luginën e Preshevës dhe e ka rëndësinë e madhe. Ne kemi investuar në të gjitha pjesët e vendit. Si në Shalë, Drenicë, Anamoravë, Llap etj…”
Por tutje ai ka thënë se Autostrada e Dukagjinit nuk duhet të ndalet tani.
“Nëse ata kanë vërejtur në menaxhim probleme, ata tash e kanë vetë në dorë dhe mund ta ndërrojnë atë nëse dëshirojnë, por nuk mund të mos investojnë në atë pjesë. Numri i banorëve është i madh atë pjesë, si dhe janë taksapaguesit më të mëdhenj. Këtë temë do ta trajtojmë. Si taksapagues kemi të drejtë të kërkojmë të drejtat tona”, ka shtuar ai.