Vetingu në drejtësi pa opozitën, “mision i pamundur”

Organizatat e shoqërisë civile që monitorojnë punën e sistemit të drejtësisë në Kosovë, thonë se janë të gatshme që t’u ofrojnë ndihmë institucioneve përgjegjëse në procesin e vetingut në drejtësi me këshilla e rekomandime, por jo që të bëhen pjesë a atij procesi.

Përfaqësues të shoqërisë civile thonë se i mbështesin deklaratat e kryeministrit, Albin Kurti, dhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu për nisjen e procesit të vetingut apo verifikimit në drejtësi, por i bëjnë thirrje qeverisë që të mos marrë hapa të shpejtë ngase për të pasur sukses, ky proces kërkon edhe mbështetjen e opozitës dhe Kuvendit të Kosovës.

Kryesisht Grupi për Studime Juridike Politike dhe Instituti i Kosovës për Drejtësi ndër vite kanë bërë thirrje që procesi i vetingut, apo i verifikimit, të ndodhë sa më parë në mënyrë që të rritet efikasiteti në sistemin e drejtësisë.

Në Grupin për Studime Juridike, Politike, thonë sistemi i drejtësisë patjetër duhet t’i nënshtrohet një procese të vetingut apo verifikimit në tërësi.

Rreze Hoxha nga Grupi për Studime Juridike, Politike, thotë se kompetenca për realizimin e procesit të vetingut i takojnë Qeverisë së Kosovës, kurse shoqëria civile, thekson ajo, mund të ofrojë ekspertiza dhe monitorim sistematik.

“Grupi për Studime Juridike, Politike veç sa ka përgatitur një propozim i cili do të bëhet shumë shpejt publik. Do t’i dërgohet qeverisë dhe do të ndahet edhe me media edhe me partneret e tjerë. [Raporti] tregon se cilët janë hapat e parë që do të duhet të ndërmerren në krijimin dhe aktualizimi e një procesi të vetingut”, tha Hoxha.

Sipas Hoxhës, analiza e cila pritet të publikohet, tregon edhe për kriteret të cilat duhet të kërkohen për zyrtarët që punojnë në sistemin e drejtësisë.

Ajo thotë se procesi i vetting-ut duhet të jetë një mekanizëm të cilin duhet ta përballojë çdo qeveri, në të kundërtën nuk mund të priten suksese.

Plani për vetting-un në drejtësi, nënvizon ajo, duhet të jetë një plan shumë më i gjerë dhe i pranueshëm nga spektri më i gjerë politik dhe jo vetëm nga partnerët e koalicionit qeverisës.

“Nuk do të duhej të ishte vetëm kompetencë e qeverisë ose të themi pushtetit ekzekutiv, marr parasysh që këtu duhet përfshirë edhe Kuvendi i Republikës së Kosovës si institucioni kryesor legjislativ në vend, pasi që aty janë të përfaqësuar të gjitha partitë politike”, thekson Hoxha.

Sistemi i drejtësisë në Kosovë, sipas raporteve të parvjetshme të progresit të Komisonit Evropian, nuk ka arritur ende të pavarësohet nga ndikimi i politikës. Edhe procesi i vetting-ut shihet me rreziqet e veta, për shkak të mundësisë së ndikimit të qeverisë në drejtësi.

Sipas Hoxhës, për këtë arsye nevojitet që i gjithë procesi të monitorohet nga afër.

“Për më tepër, që të evitohet një faktor i tillë do të duhet të kërkohet edhe konsensusi politik i cili do të përfshinte edhe partitë opozitare”, tha Hoxha.

Ndërkaq, Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, thotë se sistemi gjyqësor dhe prokurorial në aspektin e funksionimit, operimit dhe llogaridhënies është tërësisht i pavarur nga politika, por sipas tij, në praktikë nuk ka arritur ta ruajë pavarësinë.

Sa i takon procesit të vetting-ut, ai thotë se nga të gjitha qeveritë që i ka pasur Kosova, ka pasur shumë premtime për vetting-un, por asgjë sipas tij, deri tash nuk është realizuar.

Mifaraj thekson se vetting-u nuk mund të mendohet e nuk mund të bëhet pa ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës.

“Procesi i vetting-ut në asnjë rrethanë nuk guxon të fillojë pa ndryshime kushtetuese, që nënkupton se nevojiten së paku 80 vota të deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Vetëm pasi të ketë një koordinim të duhur me faktorin ndërkombëtar dhe me opozitën, mund të fillojë procesi i vetting-ut. Ajo çka ne si Institut i Kosovës për Drejtësi e kemi parë, është që kjo qeveri siç duket vetting-un e ka prioritet dhe së paku nga ajo që kemi pasur takime dhe që është thënë në publik, kjo qeveri e ka kuptuar se sistemi i drejtësisë në Kosovë pastrohet vetëm përmes procesit të vetting-ut, i cili duhet të jetë i drejtë”, tha Miftaraj.

Ai tha se për të vazhduar procesi i vetting-ut, instituti të cilin e drejton, mund të ofrojë dokumente, monitorime e hulumtime të cilat mund të merren si bazë për procesin e të cilat tregojnë për shkeljet të shumta të cilat ndodhin në prokurori e gjykata.

Rrjedhimisht, thotë Miftaraj, roli i shoqërisë civili në këtë proces mund të jetë vetëm ndihmues, udhëzues dhe këshillëdhënës.

“Instituti i Kosovës për Drejtësi ka mbi 70 raporte në të cilat janë identifikuar të metat e sistemit të drejtësisë në Kosovës, problemet që kanë të bëjnë me profesionalizimin, me integritetin, qoftë institucional, qoftë personal të krerëve të sistemit të drejtësisë dhe sigurisë, të cilat mund të shërbejnë si bazë e mirë jo vetëm për këtë qeveri, por për të gjitha partitë politike e publikun në Kosovë, që të përmirësohet sistemi i drejtësisë në Kosovës”, tha Miftaraj.

Ministrja e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Albulena Haxhiu, është zotuar se çështja e vetting-ut do të jetë prioritet në angazhimin e saj si ministre.

“Unë besoj që sistemi i drejtësisë nis të çlirohet në momentin kur ne e adresojmë vetting-un. Besoj se kjo do të jetë njëra prej sfidave më të mëdha më të cilën do të ballafaqohet Ministria e Drejtësisë”, ka deklaruar Haxhiu.

Besimi i qytetarëve ndaj institucioneve të sistemit të drejtësisë në Kosovë është luhatur ndër vite, por asnjëherë si deri tani besimi nuk ka qenë në nivelin me të ulët, kanë thënë përfaqësuesit e organizatave joqeveritare.

Institucionet e Kosovës, në veçanti mekanizmat e drejtësisë, janë ndihmuar ndër vite edhe nga mekanizmat ndërkombëtarë në Kosovë, fillimisht nga Misioni i Kombeve të Bashkuara – UNMIK, e më pas nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit – EULEX.