“Armata” prezanton filmat e regjisoreve më të suksesshme kosovare

Me filmin “Martesa”, të shfaqur mbrëmë në kinemanë “Armata” në Prishtinë, ka nisur seria e shfaqjes së filmave të suksesshëm kosovarë të viteve të fundit, të realizuar nga regjisoret gra. Në kuadër të programit “KS Women Directors” (“KS Gratë Regjisore”) përveç “Martesës” së Blerta Zeqirit do të shfaqen edhe filmat: “Shpia e Agës” i regjisores Lendita Zeqiraj, në orën 20:00, si dhe filmi “Zana” i regjisores Antoneta Kastrati, i cili shfaqet në kinemanë “Armata” të enjten,shkruan sot gazeta "Zëri".

 

“Martesa”, filmi që theu tabutë

Publiku mirëpriti për të disatën herë filmin “Martesa” të regjisores Blerta Zeqiri, i cili konsiderohet si filmi që theu tabutë e kinematografisë sonë, për shkak të temës që trajton. “Martesa” flet për një çift në të tridhjetat. Bekimi (Alban Ukaj) dhe Anita (Adriana Matoshi) po planifikonin martesën, por shfaqet edhe Noli (Genc Salihu), me të cilin Bekimi kishte qenë në lidhje kohë më parë. Zeqiri sjell pra një histori, e cila ka të bëjë me situatën e komunitetit LGBT në vend. Këto raste asaj i pëlqen t’i quajë “Romeo e Xhulieta të shoqërisë kosovare”. E përveç luftës për dashuri që Ukaj e Salihu e sjellin me rolet e tyre “Martesa” prek edhe luftën e fundit në Kosovë. Filmi trajton çështjen e personave të pagjetur dhe në këtë rast janë prindërit e Anitës, eshtrat e të cilëve pritet të kthehen nga Serbia. Filmi “Martesa”, i regjisores Blerta Zeqiri, pati premierën botërore në një festival të kategorisë “A” në Tallinn të Estonisë, më datën 28 nëntor të vitit 2017 dhe nga atje u kthye me dy çmime.

 

Kur drama jetësore kapërcehet me gaz e të qeshura

Sot publiku i Prishtinës ka rastin ta shikojë filmin “Aga”, të regjisores Lendita Zeqiraj. Ky film përcjell Agën (Arti Lokaj), 9-vjeçar, i rritur me nënën e tij në një shtëpi jashtë qytetit, ku jetojnë bashkë disa gra. Ai mëson pak gjuhën serbe nga Zdenka, një grua e nacionalitetit kroat, në mënyrë që ta gjejë babanë e tij, për të cilin mendon se është në burg në Serbi. Por historia e Agës merr kahe tjetër kur e kupton një të vërtetë të pamenduar. E ndonëse temat, të cilat i prek janë të ndjeshme e plot dhimbje, regjisorja Zeqiraj ka zgjedhur të mos heqë dorë nga stili që e karakterizon, të cilit i pëlqen ta quajë “tragji-komedi”. Pa marrë parasysh ndjeshmërinë e situatave, të qeshurat në filmin e Zeqirajt nuk mungojnë.

E lindur në Kosovë regjisorja e shpërblyer Lendita Zeqiraj është shpallur "Filmbërësja Kombëtare e Vitit 2014" dhe është shpërblyer me "Çmimin Vjetor për Kinematografi" nga Ministria e Kulturës e Kosovës. Ajo ka punuar në shumë filma të shkurtër dhe në dokumentarë, të cilët kanë marrë pjesë në 300 festivale ndërkombëtare, si International Short Film Festival Oberhausen, Thessaloniki, Cairo, Leeds, Vilnius International Film Festival, Trieste International Film Festival, Hamptons Film Festival etj., duke fituar shpërblime në disa prej tyre. Filmi i saj i fundit “Gardhi” ka fituar “Best Short Award në Palm Springs Int’l ShortFest”, Hamptons dhe New Orleans Film Festival, është kualifikuar tri herë për shpërblimin “Oscar”, si dhe vazhdon të udhëtojë nëpër festivale të ndryshme botërore. Filmi i saj i kaluar i shkurtër “Ballkoni” ka debutuar në përvjetorin e 70-të të Venice Film Festival dhe është shfaqur në 170 festivale ndërkombëtare, si Telluride Film Festival, Palm Springs Short Fest, Warsaw Film Festival, Busan International Film Festival etj. duke fituar mbi 35 shpërblime ndërkombëtare, duke përfshirë shpërblimin special të Jurisë në “AFI Fest 2013”.

 

“Zana”, e cila u bën homazh fëmijëve të vrarë dhe amësisë

 

Seria e filmave “KS Women Directors” (“KS Gratë Regjisore”) në kinemanë “Armata” mbyllet të enjten me filmin “Zana” të Antoneta Kastratit. Ky film rrëfen historinë e Lumës, e cila është përhumbur nga e kaluara e saj e shtypur dhe është e shtyrë nga familja të kërkojë trajtim për shterpësinë nga shëruesit mistikë, gruaja kosovare lufton për t'i baraspeshuar pritjet për amësi me trashëgiminë që la brutaliteti i luftës. Filmi është bazuar në përjetimet personale të regjisores Antoneta Kastrati dhe të motrës së saj Sevdije Kastrati. Ato në luftën e fundit humbën nënën dhe motrën. “Si nënë që jam tani, pyetja e cila më është kthyer gjithnjë, të cilën doja ta shtjelloja në film, është kush jemi ne si nëna të zhytura në trauma të pasluftës dhe dilema ekzistenciale të amësisë në shoqëri, ku bindjet e thella patriarkale e vështirësojnë shërimin duke kufizuar vendimet e grave. Ky është komunitet, i cili ka njërën këmbë në misticizëm, ku mallkimet dhe shtrigat janë ende reale dhe çështjet psikologjiko-mentale (si dhe mjekësore) trajtohen me hajmali dhe rituale”, ka deklaruar regjisorja.  Ajo ka shtuar se duke treguar rrugëtimin e protagonistes së saj Lumes 10 vjet pas lufte deshi ta fokusojë këtë rrëfim në botën e shtrirë të një fshati të vogël, natyrën e bukur dhe të çiltër, kafshët, personazhet e zhurmshme dhe ironike - botën e cila në sipërfaqe tregon se jeta ka ecur përpara. Tutje ajo ka shtuar se edhe pse joçdoherë është lehtë për ta jetuar përsëri këtë rrëfim, kjo ishte përvojë domethënëse dhe inkurajuese, me gjithë komunitetin dhe ekipin së bashku, duke bërë kështu filmin “Zana” si homazh fëmijëve të vrarë dhe të amësisë.Zëri