Eurodeputeti grek gris flamurin turk në PE, reagime të ashpra nga Turqia

Në një kohë kur Bashkimi Europian po promovon diversitetin dhe bashkëpunimin mes kombeve evropiane, pikërisht në institucionin e tij simbol të kësaj përpjekjeje ka ndodhur një skenë e rëndë.

Eurodeputeti grek, Ioannis Lagos ka grisur flamurin turk në Parlamentin Europian në shenjë proteste dhe kërcënimi për krizën e emigrantëve. Ish-anëtari i partisë neo-naziste, Agimi i Artë ka akuzuar Presidentin Erdogan se po lejon me qëllim kalimin e emigrantëve të paligjshëm drejt ishujve të Greqisë.

Në PE po diskutohej lidhur me krizën e emigrantëve të paligjshëm të cilët po gjejnë strehë në ishujt grekë në Egje. Përpara këtij diskutimi, presidenti turk kishte bërë apel se Europa duhet të gjente një zgjidhje për këtë krizë sepse Turqia është duke mbajtur mbi 3 milionë emigrantë dhe kërcënoi se nëse nuk do të kishte veprim atëherë ai do ti hapte atyre dyert.

Ioanis Lagos njihet si një nga figurat kryesore të ekstremit të djathtë në Greqi. Në mes të diskutimeve në sallën e PE ai grisi flamurin turk.

Pas kësaj ngjarjeje reagoi menjëherë qeveria greke e cila tha se distancohet plotësisht nga veprimet e neo-nazistëve.

”Greqia dënon në mënyrë më kategorike çdo veprim të fyerjes së një simboli kombëtar dhe në këtë rast simbolin kombëtar të Turqisë. Veprimet e papranueshme të përfaqësuesve të neo-nazizmit janë një largim nga traditat greke dhe evropiane dhe janë një përpjekje për të tërhequr vëmendjen ndaj Agimit të Artë, i cili është në provë, dhe të cilën shoqëria greke e ka hequr nga Parlamenti me votën e saj, “, shkruhej në reagimin e ministrisë së jashtme të Greqisë.

Nuk mungoi as reagimi i ministrit të jashtëm turk Mevlut Cavusoglu i cili kërkoi reagim të menjëhershëm të PE dhe cilësoi personat përgjegjës si “fëmijët e prishur të Europës”

“Këto mendje raciste e dinë më mirë se kushdo tjetër si ne i shkatërrojmë dhe i hedhim në det ata që na sulmojnë flamurin tonë të madhërishëm. Fëmijët e prishur të Europës duhet ta dinë se ku e kanë vendin. Po presim nga Parlamenti Europian të marrë masa ndaj këtij kllouni” tha Cavusoglu.