Kjo është gjendja shëndetësore e policit dhe 9 vjeçarit që u plagosën në Zhur
Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka bashkë me drejtorin Rajonal të Policisë në Prizren, Faton Alija, kanë vizituar sot dy personat që po marrin trajtime mjekësore në Spitalin e Prizrenit, në rastin e mbrëmshëm tragjik, që ndodhi në Zhur.
Haskuka ka thënë se gjendja e tyre shëndetësore është jashtë rrezikut për jetë, derisa policit Artur Mrasori që është duke u mbajtur në QKUK, i ka uruar shërim të shpejtë.
Ky është postimi i plotë:
Bashkë me drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, kolonel Faton Alija, vizituam spitalin rajonal të Prizrenit, në të cilin po shtrihen të lënduarit e rastit tragjik të mbrëmshëm ku shpërtheu eksplozivi në një shtëpi në Zhur dhe humbi jetën një polic.
Gjendja shëndetësore e policit dhe djaloshit të lënduar në spitalin e Prizrenit fatmirësisht është jashtë rrezikut dhe që të dy po marrin tretmanin e duhur mjekësor për t’u shëruar plotësisht.
Shpresoj që edhe polici i cili ka gjendje më të rënduar në QKUK të shërohet sa më shpejt dhe që të dy policët të rikthehen në vendet e tyre të punës për të vazhduar t’i shërbejnë vendit.
Uroj që rastet e tilla të mos përsëriten kurrë!