Me nderime të larta shtetërore varroset polici dhe ish-pjesëtari i UÇK-së Sami Thaqi

Me nderime të larta shtetërore në fshatin Shkarashnik të Komunës së Malishevës është varrosur zyrtari policor Sami Thaqi i cili humbi jetën nga shpërthimi i eksplozivit në Zhur të Prizrenit, raporton “Zëri.info”. Mes lotëve e dhimbjes familja, shokët e tij nga Policia e Kosovës dhe qytetarët i dhanë lamtumirën e fundit Sami Thaqit.

Në fjalën e tij gjatë ceremonisë së varrimit drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës Rashit Qalaj, tha se kjo ditë është e rëndë për të gjithë dhe që dëshmon që zyrtarët policor nuk janë të sigurt në punën e tyre, raporton tutje “Zëri.info”. “Sot nuk është një ditë e zakonshme dhe aspak e lehtë për ne. Ai ishte i gatshëm të i shërbej atdheut të tij. Po ndahemi nga një njeri që dha kontribut të madh në çdo etapë të historisë së Kosovës. Kjo kërkon përkushtimin e zyrtarëve policor për tu përgjigjur situatave që janë edhe në rrezik të jetës së tyre”, ka thënë Qalaj.

Fjalë të mira pati për kontributin e tij në Policinë e Kosovës qysh nga viti 2005, vit ky kur Samiu iu bashkua kadetëve të PK-së. “Zyrtari Sami Thaqi e gjeti vdekjen në detyrë, teksa u plagosën edhe dy policë të tjerë si dhe një fëmijë i cili jetonte në atë shtëpi. Dhimbja e madhe që e kemi për Samiun gërshetohet me krenarinë që do ta kemi përherë për të. Ai ishte një shembull i humanitetit, shërbyes i të tjerëve që nuk u kursye asnjëherë për sundimin e ligjit dhe sigurisë e që simbolizon zyrtarin shembullor policorë”, ka thënë Qalaj, transmeton “Zëri.info”. Ragip Begaj kryetari i Komunës së Malishevës ngriti lartë figurën e zyrtarit policor, i cili qysh në moshën 16-vjeçare iu bashkua radhëve të UÇK-së për mbrojtjen e vendit. “Ai me uniformën e UÇK-së shkonte në beteja për çlirimin e tij. Ai në çdo betejë doli fitimtarë bashkë me shokët e tij. Ai u sakrifikua për të mbrojtur të ardhmen e fëmijëve të Kosovës. Ai në moshën 16 -vjeçare u rreshtua në radhën e ushtarëve të UÇK-së, për të luftuar për çlirimin dhe mbrojtjen e atdheut. Samiu do të ndahet vetëm fizikisht nga ne”, ka thënë Begaj. Në ndërkohë drejtori i Njësitit Antidrogë, duke shprehur ngushëllime për familjen e të ndjerit, fjalët i pati të pakta. Për të ishte e vështirë që të flas për kolegun e humbur që deri dje ishin bashkë në çdo operacion të kësaj drejtorie.

“E kam shumë të vështirtë të flasë për kolegun Sami Thaqi i cili deri dje ishte pranë nesh. Ai u përkushtua për sigurinë e jetës së qytetarëve të Kosovës. Humbja e tij nuk është humbje e madh vetëm për familjen por për tërë Kosovën. Ai dha shumë kontribut e veçanërisht për atë të konfiskimit të narkotikëve. I shprehim ngushëllime familjes nga e gjithë Njësi Antidrogë:, ka thënë ai.

Naim Thaqi përfaqësues i familjes së të ndjerit ka falënderuar të gjithë për pjesëmarrjen në ceremoninë e varrimit të policit të Kosovës. Në ndërkohë presidenti i vendit për të e ka ndarë urdhrin “Hero i Kosovës”, teksa për familjen e të ndjerit nga Qeveria e Kosovës janë ndarë 15 mijë euro. I ndjeri ka lindur në vitin 1982 në fshatin Shkarashnik të Komunës së Malishevës. Ai ishte pjesëtarë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për t`iu bashkuar më pas Policisë së Kosovës. Ai në vitin 2005 u bë pjesë e kadetëve të Policisë së Kosovës teksa gjatë karrierës së tij ai mori edhe mirënjohje përfshirë edhe atë të besnikërisë. Të pranishëm në ceremoninë e varrimit ishin edhe zyrtarë shtetëror, deputet, ministra, zyrtarë nga prokuroritë e të tjerë. /ZËRI