Ish-ylli i futbollit kosovar se bashku me djalin dhe gruan e tij moderatore, e shijuan nga afër ndeshjen Inter - Atalanta

Ish-sulmuesi i mirënjohur kosovar, Enis Fetahu, së bashku me djalin dhe gruan e tij, moderatoren e njohur Vlera Jusufi, e kanë shikuar nga afër ndeshjen Inter - Atalanta që konsiderohej si derbi i xhiros së 16-të në Serie A, shkruan Zëri.info.

Ish-sulmuesi i Prishtinës dhe i shumë skuadrave kosovare, i ka postuar disa fotografi në rrjetin social Facebook nga stadiumi.

Ekipi i Antonio Contes ka humbur një mundësi ideale për të ngritur epërsinë me ndjekësit në pozitën e parë, por janë ndalur nga Atalanta.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë të barabartë nga të dyja skuadrat, por vendasit e Interit arritën të gjejnë edhe golin.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e katërt dhe ishte Lautaro Martinez, i cili shënoi për 1-0 pas një bashkëveprimi me Romelu Lukaku.

Në pjesën e dytë, Atalanta kishte krejtësisht tjetër fytyrë duke krijuar shumë më shumë raste, ndërsa Interi tentonte me kundërsulme.

Mysafirët pas disa rasteve të krijuara arritën ta gjejnë golin e barazimit 1-1 me anë të Robin Gosens, i cili shënoi pas një tollovie në zonë.

Atalanta pati mundësi ideale në minutën e 88-të të shënonte nga penalltia dhe ta fitonte ndeshjen, por Samir Handanovic priti goditjen e Luis Muriel dhe takimi përfundoi baras 1-1. /Zëri.info