Rasti “Pronto”, Grabovci, Beqaj, Pajaziti e të tjerët shpallen të pafajshëm

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur dje aktgjykimin për rastin “Pronto”, ku ishin të përfshirë zyrtarë të lartë të PDK-së, si Adem Grabovci, Zenun Pajaziti, Besim Beqaj dhe të tjerë. Gjykata të gjithë të akuzuarit në këtë rast i ka shpallur të pafajshëm, shkruan sot gazeta Zëri.

Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Adem Grabovci, ish-ministri i Inovacionit dhe i Ndërmarrësisë Besim Beqaj, ish-deputeti i PDK-së Zenun Pajaziti dhe tetë të akuzuarit tjerë janë shpallur të pafajshëm për veprën penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe të banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje”, i njohur si rasti “Pronto”.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Shashivar Hoti, ka bërë të ditur vendimin, duke sqaruar se për 11 të akuzuarit e tjerë nuk është provuar se kanë kryer veprën penale për të cilën janë akuzuar. “Trupi gjykues mori vendim në emër të popullit që të akuzuarit të lirohen nga akuza për veprat penale, për të cilat janë akuzuar sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, sepse nuk është provuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen”, tha Hoti. 

Ndërkohë, prokurorja speciale Drita Hajdari, e cila ka ngritur aktakuzën ndaj 11 të përfshirëve në rastin “Pronto”, është shprehur e zhgënjyer me vendimin e sotëm të Gjykatës. “Jam tepër e zhgënjyer me vendimin lirues. Kryetari i trupit gjykues është dashur së paku të japë arsyetim për një vendimin të tillë, sepse ligji e obligon që ta sqarojë shkurtimisht vendimin”, ka thënë Hajdari. Ata akuzoheshin se gjatë muajit tetor, nëntor e dhjetor të vitit 2011 kishin emëruar në mënyrë të kundërligjshme në pozita udhëheqëse njerëz të afërt të tyre ose me partinë e tyre në ndërmarrjet publike “Trainkos”, “Infrakos”, “Hidro-Drini”, “Radoniqi-Dukagjini” etj. Pasi Prokuroria kishte ngritur aktakuzën për përgjimet “Pronto” gjykimi kishte filluar më 1 tetor 2018, ndërsa më 15 nëntor Grabovci, Beqaj, Pajaziti e 8 të akuzuarit e tjerë ishin deklaruar të pafajshëm. Gjykimi në rastin e njohur si “Pronto” përfundoi me 12 seanca gjyqësore pas 455 ditëve pas ngritjes së aktakuzës.

Grabovci: Aktakuza ndaj meje ishte absurde, dikush donte të më eliminonte

Ish-deputeti i PDK-së, Adem Grabovci, u shpreh se e ka pritur një vendim të tillë. Ai theksoi se për të befasuese ka qenë ngritja e aktakuzës dhe rihapja e hetimeve. “Së pari, unë nuk e kam pritur që do të vijë puna për ngritje të aktakuzës, sepse ky ka qenë një proces i hetuar nga EULEX-i dhe i përfunduar me një vendim se nuk ka pasur asnjë provë. Ajo që mua personalisht më ka shqetësuar më së shumti ka qenë pasiguria juridike, që është shkaktuar për të gjithë qytetarët e Kosovës, sepse ngritja e kësaj aktakuze dhe rihapja e hetimeve pas konsultimit të një procesi nga një trup gjykues pa pasur asnjë provë të rihapet është absurditet dhe është rasti i parë”.

Grabovci më tutje shtoi se rihapja e hetimeve ndaj tij dhe ndaj të tjerëve ka qenë mesazh se për interesa të një grupi ose të një individi mund të godasin për të degraduar ose edhe për të eliminuar. “Për mua ka qenë i ditur ky epilog, nuk është diçka befasuese. Befasuese ka qenë rihapja e hetimeve dhe kjo për mua ka nënkuptuar dhe ka qenë si mesazh se kur tenton dikush për interes të një grupi ose të një individi mund ta godasë kë të dojë për ta degraduar dhe për ta eliminuar dikë”, u shpreh Grabovci.

Berisha: Hetimi për rastin “Pronto” ka qenë selektiv

Avokati Besnik Berisha, që mbron ish-ministrin Besim Beqajn, ka thënë se ky proces ka dëshmuar që Prokuroria është e ngulfatur. Sipas tij, hetimi dhe aktakuza kanë qenë selektive dhe se personat që kanë qenë përgjegjës për punësime Prokuroria nuk ka pasur guxim t’i intervistojë si dëshmitarë e lëre më si të dyshuar. “Ishte një epilog i paralajmëruar dhe një gjykim që filloi si rezultat i një presioni publik dhe u zhvillua nga një prokurori e dështuar. Në qoftë se Gjykata nuk e arsyeton gjykimin mundësitë janë për rigjykim, por kujtoj që cilado gjykatë që ka interesin publik s’besoj se nuk do të luajë pingpong me këtë lëndë, sepse nga dita kur është publikuar aktakuza edhe këta vetë e kanë ditur se janë ngutur, kanë bërë ndjekje selektive dhe epilogu mund të vonojë, por prapë do të jetë i njëjti”.

Më tutje ai tha se nocioni “Pronto” nuk ka qenë i përdorur nga asnjëri nga këta që ishin pjesë e gjykimit. “Prokuroria s’ka pasur guxim as si dëshmitarë t’i ftojë dhe kjo Prokurori mund të quhet e dështuar, si shumë raste tjera”.

VV: Vendimi për rastin “Pronto”, vulë e shtetit të kapur

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Themelore për rastin e njohur si “Pronto”. Sipas saj, kjo është goditje për shtetin e së drejtës.

Haxhiu tha se Gjykata u ka dhënë te drejtë atyre që ia kanë mbytur shpresën rinisë dhe qytetarëve të Kosovës me veprime kriminale me qëllim të kapjes së shtetit. “Trupi gjykues u dha të drejtë abuzuesve. Çfarë prova i janë dashur trupit gjykues kur të gjithë me veshët tanë i kemi dëgjuar abuzuesit?!”, shkroi ajo në rrjetin social “Facebook”.

Deputetja thotë se aktgjykimi i shpallur dje është vulë e shtetit të kapur. “Aktgjykimi i sotëm është vula e shtetit të kapur. Është aktgjykim që thërret për angazhim deri në moskapjen e shtetit, andaj nuk ka kohë për të humbur, sepse është nevojë urgjente krijimi i qeverisë së re”.

Ka reaguar edhe deputeti i tjetër i LVV-së, Mefail Bajqinovci. Ai tha se me të gjitha provat e publikuara prapë janë liruar protagonistët e rastit “Pronto”. Kjo sipas tij tregon për kapjen e shtetit nga PDK-ja. “Kjo tregon për kapjen e shtetit nga PDK-ja, edhe pse këto prova ishin të publikuara me zë, prapë ky trup gjykues nuk i merr parasysh. Këtij shteti i duhet urgjentisht ligji i vetingut, që të spastrohen gjykatat nga gjykatës, të cilët marrin vendime arbitrare. Çfarë provash tjera duhen që Grabovci and Co të dënohen. Turp!”, ka shkruar ai në rrjetin social “Facebook”.

Miftaraj: Rasti “Pronto” ishte nisur për të dështuar

Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka reaguar lidhur me vendin e Gjykatës për rastin “Pronto”. Sipas tij, ky rast ishte nisur për të dështuar. “Rasti ‘Pronto’, të gjithë shpallen të pafajshëm. Cirku i prokurores Drita Hajdarit, i filluar vite më parë, përfundon këtu. Sot do të ketë me siguri akuza dhe shtyrje të agjendave se Gjykata nuk ka guxuar t’i dënojë. E jo valla, në fillim ka qenë e ditur se Drita Hajdari dhe bosët e saj në Prokurori e kanë nisur këtë rast me qëllim që të dështojë”.

Ai më tutje tha se ligji i vetingut do t’i pastronte gjykatat nga gjykatës të tillë. “Mjerimi i sistemit prokurorial dhe i sistemit te drejtësisë janë prokurorët si kjo. Vetingu këtë dhe si kjo i kishte lënë pa punë ose më së shumti që kish mujt me punu ish kanë përkthyese shqip – serbisht. Prokurorja e hekurt as që ka guxuar të merret me Thaçin and company, si përgjegjësit kryesorë të rastit ‘Pronto’”, tha më tutje ai.