Mbi 300 mijë euro për aparatura për Spitalin e Ferizajt

Drejtori i Spitalit të Ferizajt, Jeton Zeqiri, ka thënë për “Zërin” se gjatë këtij viti kanë marrë mbi 300 mijë euro nga SHSKUK-ja për aparatura. Ai ka bërë të ditur se gjatë këtij viti janë furnizuar me rëntgen digjital e me aparatura tjera përcjellëse.

“Është një gamë e gjerë e aparaturave që na kanë ardhur këtë vit. Kemi marrë një rëntgen digjital e aparatura tjera përcjellëse, EKG, aspirator, tavolina fraksioni e tavolina operatike. Mbi vlerën 300 mijë euro ne kemi marrë grand vetëm prej SHSKUK-së”.

Zeqiri ka thënë më tutje se kanë planifikuar edhe aparatura për vitet tjera, të cilat janë të nevojshme për ta, në mënyrë që të rrisin shërbimet.

“Aparaturë e vjetër nuk na ka mbetur, por kemi pasur aparatura që kanë qenë para 15 vjetësh, të amortizuara e jofunksionale. Ne e kemi pasur edhe buxhetin tonë dhe kemi blerë aparaturë të re. Aparaturat tjera që ne i kemi planifikuar janë aparaturat që i rrisin shërbimet, do të thotë shërbimet që nuk janë dhënë më herët”, ka thënë ai./ZËRI