Kanceri i mushkërive po prek edhe 17-vjeçarët, numri i të prekurve në rritje
Sëmundja e kancerit edhe më tej po vazhdon të jetë mjaft e përhapur në Kosovë. Për dallim nga vitet tjera, thuhet se ky vit do të përmbyllet me rreth 1 mijë e 600 persona të prekur me kancer. Kanceri i gjirit dhe ai i mushkërive vazhdojnë të prijnë me numrin më të madh të të prekurve, shkruan gazeta Zëri.
Lexo edhe: Kanceri në rritje te kosovarët, janë të prekura të gjitha moshat
Kanceri i mushkërive vlerësohet të jetë nga sëmundjet më të shpeshta në vend.
Pulmologu Bahri Thaçi ka thënë për “Zërin” se kjo sëmundje u atribuohet shumë faktorëve, kryesisht duhanpirjes dhe ndotjes së ajrit.
Sipas tij, fatkeqësisht viteve të fundit kjo sëmundje po prek edhe moshat e reja, duke përfshirë këtu edhe të miturit. “Kanceri i mushkërive është bërë sëmundje shumë e shpeshtë në Kosovë dhe kjo u atribuohet shumë faktorëve, faktor kyç është pirja e duhanit dhe ndotja e ajrit. Ne jemi dëshmitarë që kanceri fatkeqësisht po prek edhe moshat e reja. Një kohë ka qenë e rrallë që në Kosovë t’i bjerë kanceri i mushkërive dikujt në atë moshë. Sot kemi kancer të mushkërive edhe te personat në moshën 25 e 27-vjeçare e po ashtu edhe te mosha 17-vjeçare”.
Derisa ka treguar edhe se si duhet të mbrohemi nga kjo sëmundje, Thaçi ka bërë të ditur se gati çdo ditë ka rritje të numrit të të prekurve me sëmundjen e kancerit të mushkërive. “Kjo sëmundje duhet të trajtohet në mënyrë multidisiplinore, do të thotë duke filluar nga ligjëratat në masën e gjerë të qytetarëve, ligjërata që duhet t’u jepen edhe adoleshenteve, të cilëve duhet t’u flitet për dëmet e duhanit, për rreziqet që shkaktohen dhe për atë se duhani është shkaktar kryesor për sëmundjen e kancerit të mushkërive. Pastaj duhet të ruhet ambienti ku ne jetojmë, duke u nisur nga ambienti i brendshëm e pastaj edhe ai i jashtëm”, ka shtuar ai. //ZERI