Sot Tirana ritakon Ramën, Vuçiqin e Zaevin, pa Thaçin
Sot dhe nesër në Tiranë, me ftesë të kryeministrit të Shqipërisë Edi Ramës, do të zhvillohet takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor, ku do të diskutohet për idenë e krijimit të Mini-Shengenit Ballkanik. Derisa autoritetet kosovare e kanë refuzuar pjesëmarrjen, gjasat janë minimale që Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina të marrin pjesë në këtë iniciativë, shkruan sot gazeta Zëri.
Presidenti i Shqipërisë, Edi Rama, sot ka hapur derën e konakut të tij për presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiqin dhe për kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Zoran Zaevin, të cilët do të mblidhen për të diskutuar lidhur me krijimin e Mini-Shengenit Ballkanik. Teksa treshja, Rama – Vuçiq - Zaev, e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, në anën tjetër, ka refuzuar pjesëmarrjen në këtë ngjarje pikërisht për shkak të Serbisë. Thaçi ka theksuar se derisa shteti serb vazhdon të mohojë krimet e kryera ndaj qytetarëve të Kosovës dhe nuk e njeh Kosovën si shtet, iniciativat për bashkëpunim rajonal janë krejtësisht të pakuptimta. “Serbia ka kryer gjenocid kundër qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe sot jo vetëm që mohon krimet e kryera, por vazhdon të mos e pranojë ekzistencën e shtetit tonë. Në një situatë të tillë thirrjet dhe iniciativat për bashkëpunim rajonal janë krejtësisht të pakuptimta. Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina nuk e njohin shtetin e Kosovës”, ka deklaruar Thaçi të mërkurën.
Ndërkohë ky takim, që do të mbahet në Tiranë, është takimi i tretë me radhë që po bëhet në kuadër të përpjekjeve për formimin e një Mini-Shengeni Ballkanik. Këto përpjekje nisën rreth dy muaj më parë në Novi Sad të Serbisë, ku tre liderët, Vuçiqi, Zaevi dhe Rama, u pajtuan për një gjë të tillë. Ata fuqizuan idenë e tyre me një takim në Ohër të Maqedonisë së Veriut dhe finalizimi i këtij projekti pritet të bëhet më 21 dhjetor, në Tiranë.
Pasojat e krijimit të Mini-Shengenit për Kosovën
Politologu Ramush Tahiri, duke folur për tentativat për krijimin e një Mini-Shengeni Ballkanik, ka thënë për “Zërin” se meqë të gjitha shtetet e kësaj zone janë të pavarura, ato si të tilla kanë të drejtë të marrin pjesë në çfarëdo iniciative që u ofrohet. “Shqipëria ka politikën e vet dhe ka strategjinë e saj, njësoj si të gjitha vendet e tjera të Ballkanit, që kanë politika të veçanta të jashtme. Mini-Shengeni është iniciativë e tri shteteve me mundësi zgjerimi edhe me shtete tjera. Këto shtete kanë marrëdhënie bilaterale dhe trelaterale dhe vendet e tjera mund të marrin ose jo pjesë në këso iniciative, kjo u takon atyre. Se çfarë marrëveshje bëjnë këto shtete përcaktohet nga vetë ato”.
Kësisoj ai e ka arsyetuar vendimin e autoriteteve kosovare për të mos marrë pjesë në këtë iniciativë, për shkak të qëndrimit që shteti serb ka kundrejt Kosovës dhe pavarësisë së saj. “Kosova me të drejtë e kundërshton pjesëmarrjen dhe i ka argumentet e saj, sepse pa kërkuar falje Serbia për krimet e bëra në Kosovë dhe pa i pranuar ato krime shteti ynë nuk duhet të marrë pjesë. Ajo që është me rëndësi është se Kosova është shtet i pavarur, ashtu siç është Serbia dhe Shqipëria dhe marrëdhëniet bilaterale të dy shteteve nuk ndikojnë te shtetet e treta, sepse nuk ka marrëveshje për shtetin e tretë. Personalisht nuk jam kundër iniciativave që rritin bashkëpunimin rajonal”, është shprehur më tutje Tahiri.
Vetëvendosja në Shqipëri proteston kundër vizitës së Vuçiqit dhe Mini-Shengenit
Duarkryq nuk ka qëndruar Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, e cila të enjten përmes një konference për medie ka kundërshtuar vizitën e presidentit serb Aleksandar Vuçiq në kuadër të Mini-Shengenit Ballkanik, që do të mbahet sot në Tiranë.
Përmes pllakateve me mbishkrimin “Këtu një kriminel lufte po vjen të pozojë si bamirës” aktivistët e kësaj partie kanë njoftuar se sot do të fillojnë edhe protestat për këtë vizitë.
Me këtë rast kryetari i Bordit të Qendrës së LVV-së në Shqipëri, Enis Sulstarova, deklaroi se Qeveria shqiptare po përpiqet që një kriminel lufte si Aleksandar Vuçiqin ta paraqesë si bamirës të të prekurve nga tërmeti i nëntorit, duke tentuar t’ia shpëlajë figurën Vuçiqit. “Ushtria dhe paramilitarët serbë kanë vrarë e kanë masakruar me mijëra civilë, nuk kanë kthyer mbi 1600 persona që mbeten të pagjetur, kanë dhunuar 20 mijë gra e vajza, kanë shkatërruar mbi 100 mijë shtëpi, kanë vjedhur artefaktet kulturore e fondin pensional, kanë shkatërruar mbi 50% të traktorëve dhe të bagëtisë në Kosovë, dukë bërë që Serbia t’ia ketë borxh kombit shqiptar mbi 20 miliardë euro si dëmshpërblime lufte”, thuhet në reagimin e LVV-së.
Po ashtu kjo Qendër sot do të organizojë një aksion simbolik në Shqipëri për të shprehur kundërshtimin ndaj vizitës së presidentit serb dhe ndaj Mini-Shengenit Ballkanik. “Këtë të premte, në orën 17:00, në lulishten “Qemal Stafa”, përballë hotelit “Rogner”, Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje do të zhvillojë një aksion simbolik paqësor për të shprehur kundërshtimin ndaj vizitës së Aleksandar Vuçiqit dhe Mini-Shengenit Ballkanik. Vuçiqi nuk mund ta shmangë drejtësinë duke dhënë lëmoshë. Ai mbetet person “Non-grata” për shqiptarët. Ftojmë qytetarët të na bashkohen këtë të premte për të shprehur njëzëri kundërshtimin tonë”, thuhet më tutje aty. //ZERI